Dyshimet për manipulim në Mitrovicë, INPO kërkon auditim të kontratës së KQZ-së me CETIS-in

Instituti për Politika Zhvillimore (INPO) ka kërkuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) që të zhvillojë një auditim të plotë të kontratës ndërmjet Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) dhe kompanisë sllovene CETIS d.d., e cila ishte përgjegjëse për shtypjen e fletëvotimeve, broshurave dhe listave të votuesve për Zgjedhjet Lokale 2025.
Në një analizë të publikuar sot, INPO ka vlerësuar se kontrata e KQZ-së nuk ka garantuar zbatimin e plotë të standardeve ndërkombëtare të sigurisë ISO 9001, ISO 14298 dhe ISO 27001, të cilat përfshijnë sistemin e kontrollit dhe gjurmueshmërisë digjitale të dokumenteve të sigurisë (audit trail digital). Ky sistem do të duhej të siguronte ndjekjen elektronike të çdo fletëvotimi nga momenti i shtypjes deri në dorëzimin përfundimtar.
Sipas INPO-s, ndonëse certifikatat e sigurisë janë kërkuar në tender, KQZ-ja nuk ka kërkuar në kontratë që operatori ekonomik të dorëzojë raportin e auditimit digjital — dokument që do të mundësonte verifikimin teknik të procesit të shtypjes dhe identifikimin e menjëhershëm të defekteve eventuale.
Në letrën e saj zyrtare të datës 11 nëntor 2025, kompania CETIS ka konfirmuar se problemi me fletëvotimet në komunat Mitrovicë e Jugut dhe Gjakovë ka ndodhur për shkak të mosfunksionimit të një prej kokave të printerit që shtypte numrin e qendrës së votimit. Kompania ka sqaruar gjithashtu se kontrolli i cilësisë është bërë vetëm me mostra, prandaj “gabimi nuk është zbuluar gjatë procesit të shtypjes”.
Ky fakt, sipas INPO-s, tregon qartë se sistemi i auditimit digjital nuk është zbatuar në praktikë, edhe pse është pjesë e detyrueshme e standardit ISO 14298. Si rezultat, KQZ-ja nuk ka pasur raport teknik që të tregojë saktësisht në cilën fazë — shtypje, paketim apo transport — ka ndodhur defekti.
INPO ka theksuar se KQZ mban përgjegjësi institucionale për të garantuar që sistemi i auditimit digjital të funksionojë dhe raportet përkatëse të jenë pjesë e menaxhimit të kontratës. “Mungesa e këtij raporti përbën një boshllëk serioz në kontrollin e cilësisë dhe në gjurmueshmërinë e materialeve zgjedhore”, thuhet në reagim.
Organizata ka ftuar Zyrën Kombëtare të Auditimit që të hetojë zbatimin e standardeve të sigurisë, përputhshmërinë me Ligjin për Prokurim Publik dhe shkallën e mbikëqyrjes që ka ushtruar KQZ gjatë shtypjes së materialeve zgjedhore.
“Sqarimi i plotë i kësaj çështjeje është thelbësor për rikthimin e besimit të qytetarëve në procesin zgjedhor. Rasti i Mitrovicës nuk është vetëm një ‘defekt teknik’, por një dështim në zbatimin e mekanizmave të sigurisë dhe transparencës që duhet të jenë themel i çdo procesi zgjedhor”, përfundon reagimi i INPO-s.



















































