Dy politika konsekuente të qeverisë Rama: Shkelja e të drejtave politike e izolimi ndërkombëtar i Kosovës
Protestat publike në Rusinë e presidentit Putin nuk kanë qenë as të shpeshta e as masive; ato adresojnë abuzime të ndryshme të pushtetit por rrallë herë drejtohen kundër tij. Megjithatë qeveria ruse, pas lëvizjeve popullore në Gjeorgji e Ukrainë, ashpërsoi ligjet duke cilësuar si tubim publik që duhej të lejohej nga policia edhe rastin kur dy persona në rrugë a shesh protestojnë në këmbë pranë njeri tjetrit. Kuptohet që leja për tubim ose nuk jepej fare ose jepej vitin tjetër dhe kush bënte tubim pa leje binte në burg. Për të anashkaluar këtë pengesë protestuesit rusë nisën të dilnin tek pullë në rrugët e Moskës e Shën Petersburgut duke mbajtur në dorë një pankartë ku shënohej arsyeja e protestës, e sipas rastit, duke thirrur parullat e saj. Por edhe ky truk nuk i ndihmoi shumë protestuesit pasi atyre u afrohej e u rrinte ngjitur një person i panjohur, si rregull polic civil, dhe pas gjysmë minuti vinin policët me uniformë që nën akuzën e “tubimit publik pa leje” i fusnin në furgon e i plasnin në birucë. Protestuesi i rremë dilte pas një ore; ai i mirëfilltë rrinte aty shumë më gjatë.
Në 10 qershor 2015, një dyzinë studentësh të Universitetit të Tiranës protestuan me pankarta në dorë e parulla zanore kundër projektligjit për Arsimin e Lartë në trotuarin e rrugës “Ismail Qemali pranë portës së Kuvendit të Republikës; policia erdhi vrrik, i shpërndau me forcë dhe shoqëroi në komisariat shtatë syresh të cilët u liruan të nesërmen.
Unë, asokohe kryetar i Komisionit për Edukimin, e denoncova ne Facebook e në plenare këtë akt arbitrar të policisë. Më tej përmes një mikut tim në Fakultetin e Shkencave Sociale kontaktova këta studentë e i ftova për një bisedë në sallën e komisionit me dëshirën e mirë që t’ju dëftoja se shteti, në trajtën e parlamentit pluralist, nuk ishte armiqësor ndaj tyre pavarësisht nga abuzimi i qeverisë e i policisë. Ftesa ime nuk u pranua e miku i Fakultetit më sqaroi se ata studentë shiheshin si neomarksistë dhe ata, me gjasë, më shihnin mua një deputet i një partie të djathtë, si djall me brirë. Gjithsesi, një përfaqësi e këtij grupi mori pjesë në dëgjesën e komisionit mbi projektligjin duke u fokusuar tek publikja. Lexuesit do t’i kujtohet se PD kritikoi sidomos kapitullin 12 të tij i cili transferonte fondet e buxhetit tek universitet private të cilat ishin si rregull pronë e kompanive tregtare fitimprurëse. PPP problematike në vitin 2015 nuk njiheshin dhe nuk kishin namin e keq që kanë sot; i shikuar në retrospektivë e në prizmin e përvojës me PPP-të kapitulli 12 duket si një përpjeke fillestare e sui generis e qeverisë Rama për të transferuar paratë e taksave tek subjektet e përzgjedhur.
Por të kthehemi tek pika e fillimit: policia e Putinit dhunonte të drejtën e tubimit përmes zbatimit pedant e malinj të germës së ligjit restriktiv; policia e Ramës, duke patur një ligj liberal për tubimet, as nuk pyeti fare për frymën e germën e tij.
Lajmet e fundjavës thonë se disa aktivistë, me gjasë nga grupimi i mësipërm janë ndaluar nga policia, pasi rojet private i larguan me forcë nga një qendër tregtare. Aktivistët hodhën fletushka me përmbajtjen “Samir Mane shtyp minatorët”. Tre syresh janë arrestuar të shtunën nga policia për “përhapje të informatave të rreme që ngjallin panik” dhe “prishje të qetësisë publike” ndërkohë që prokuroria do e shqyrtojë çështjen pas fundjavës. Nuk më duket se pretendimi se “X apo Y shtyp minatorët apo dhe popullin në përgjithësi” përhap panik në Shqipëri siç nuk jam i sigurt se shpërndarja e fletushkave me përmbajtje të pakëndshme për pronarin prish qetësinë e publikut. Gjithashtu nuk më duket se rregullorja apo urdhri në një ambient publik si qendra tregtare prevalon mbi ligjin e shtetit për tubimet i cili, siç shënova më lart, është modern e liberal. Por këto janë ushtrime teorike që humbasin kuptimin kur sheh se me pretendime kafkaeske policia burgos qytetarë që protestojnë në të drejtën e tyre dhe që prokurori i radhës nuk prish vikendin për të mbrojtur parimet e kushtetutës nga shkelja arbitrare e bërë ashiqare.
Regjimi i Ramës nuk pengon me marifete të tilla opozitën kur ajo mbledh në rrugë qindra mijëra qytetarë që protestojnë kundër regjimit narko-oligarkik; ndaj tyre vepron me dhunë shproporcionale e me gaz lotsjellës me shumicë. Por ndaj të voglit e të dobëtit shfaqet më qartë fytyra e vërtetë e regjimit e sidomos frika e brendshme e tij. Prandaj nuk është ekzagjerim të kujtojmë fjalët e pastorit protestant Niemoller në Rajhun e Tretë: ”Kur erdhën të më arrestonin s’kishte mbetur më kush që të fliste për mua. Të tjerët i kishin marrë prej kohësh. ”
Javën e shkuar shënova se synimet konkrete të samitit mini-Shengen midis Ramës, Vuçiqit e Zaevit, si regjimi 24 orësh i pikave kufitare që lidhin fshatrat në dy anët e një kufiri shtetëror e që aktualisht rrinë hapur nga mëngjesi deri në darkë, nuk ja vlen barra qeranë. Po shënoj sot se leja e punës automatike e mjekut apo gurpunuesit shqiptar në tregun serb a maqedonas e anasjelltas, ndonëse nuk është e dëmshme, mbetet jodomethënëse për sa kohë gjithë zanatçinjtë e Ballkanit kur emigrojnë nuk shkojnë as në Shqipëri e as në Serbi por në Gjermani e Angli.
Mbetet e hapur pyetja pse duhet një nismë e re kur për këto qëllime janë ngritur e funksionojnë prej tre dekadash Nisma Evropës Qendrore dhe Procesi i Bashkëpunimit të Evropës Juglindore të cilat ankorohen në Bashkimin Evropian e në Perëndim. Si dhe pse duhej një format që bën udhëheqës Serbinë, shtetin që është anëtarësuar në zonën tregtare ruso-aziatike dhe që ka bashkëpunimin më të ngushtë ushtarak me Rusinë , e cila është ende nën sanksione nga Perëndimi.
Por, këto janë halle të vogla në raport me dëmin e madh që i bëhet Kosovës.
Prishtina, ashtu si dhe Podogorica e Sarajeva, i kanë sqaruar arsyet pse kanë rezerva ndaj mini-Shengenit dhe nuk marrin pjesë në të. Por, nëse p.sh Bosnje-Hercegovina nuk merr pjesë ajo nuk pëson ndonjë dëm të madh. Ky shtet mund të ketë njëqind e një probleme të brendshme, por ai është i njohur nga bashkësia ndërkombëtare dhe është anëtar në OKB. Ndërsa Kosova nuk njihet nga Serbia e Bosnje-Hercegovina në rajon, nga pesë shtete anëtare të BE-së, nga shumë të tjerë në botë përfshi Rusinë e Kinën. Për keto arsye nuk është anëtare në OKB ndërkohë që Serbia investon lart e poshtë që të zhbëjë njohjet e deritashme.
Mini-Shengeni pa Kosovën po me Shqipërinë shërben vetëm që t’i mbushi mendjen botës se problem është në çdo rast Prishtina “jo bashkëpunuese” dhe e “papjekur”. Ndaj saj duhet ushtruar presion për të pranuar zgjidhje të pavolitshme siç ishte dje copëtimi territorial apo siç mund të jetë nesër ndonjë tjetër sugjerim malinj i trafikuar si “evropian”.
Këtu Edi Rama ka padyshim fajin më të madh pasi u lidh, sërish, me udhëheqësin serb pa u koordinuar me politikanët relevantë të Kosovës si Haradinaj, Thaçi, Kurti, Mustafa e Osmani.
Nëse në fund të janarit në Beograd do të mbahet samiti mini-Shegen i radhës dëmi për Kosovën do të jetë tejet i madh. Pikërisht për këtë arsye duhet që Tirana të shtyjë samitin në një datë tjetër ose pjesëmarrja e Ramës në samit duhet ndaluar.
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëReshjet e shiut, vërshohen disa rrugë në Prishtinë
Diana reagon për herë të parë pas daljes nga BBVK, falënderon publikun ndërsa nuk e përmend fare Arionin!
Faton Peci ushtron kallëzim penal ndaj Paris Gurit, Lumir Abdixhikut dhe zyratrëve të tjerë të LDK-së
Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje
Teksa po fluturonte me aeroplan 'mbi llavën e zjarrtë të tij', turistja filmon shpërthimin spektakolar të vullkanit në Islandë
Suspendohen dy gjyqtarët e UEFA-s pas gabimit të rëndë në Ligën e Kombeve
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës
"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve
Mes lotësh flasin për herë të parë prindërit e Martinit: Nuk duam hakmarrje