LAJMI I FUNDIT:

Drita kampione e Kosovës

Drita kampione e Kosovës

Për klubin e volejbollit të femrave Drita nga Gjilani, edicioni 2015-2016 është bindshëm më i miri i pasluftës.

Drita të dielën fitoi titullin e kampionit të Kosovës në volejboll, pasi në finale të plejofit mposhti skuadrën e Skënderajt.

Drita të dielën në Mitrovicë e fitoi ndeshjen e dytë me rezultatin 3:1 në sete rezultat që e kishte edhe nga ndeshja e parë. Për ekipin gjilanas ky ishte titulli i parë i fituar pas luftës.

Javë më parë Drita fitoi edhe Kupën e Kosovës për të tretin vit rresht, shkruan sot Koha Ditore.


Suksesi i këtij edicioni për trajnerin Lorik Ilazi nuk ka qenë i rastësishëm. Trajneri i ekipit gjilanas, Ilazi, thotë se me plot meritë Drita është shpallur kampione e Kosovës në volejboll. Pos titullit dhe Kupës së Republikës, Drita fitoi edhe Superkupën dhe Kupën e Federatës. Të gjitha ndeshjet i ka fituar, si në kampionat ashtu edhe në Kupa.

“Ta përfundosh një edicion të tërë pa asnjë humbje do të thotë se e kemi merituar plotësisht. Kjo tregon se është bërë një punë e madhe edhe pse shumë e vështirë, meqë të gjithë kemi punuar më shumë se nga tri orë në ditë në palestër. Të gjithë kemi qenë të përkushtuar në punë. Është festë e madhe për ne, pasi pas luftës vetëm titulli na mungonte. Vajzat kanë treguar një nivel goxha të lartë në të gjitha ndeshjet. Gjithmonë e kanë marrë me seriozitet punën dhe u jam mirënjohës”, ka thënë Ilazi të dielën mbrëma për gazetën.