Mesfushori brazilian Douglas Luiz nuk u paraqit në ditën e parë të përgatitjeve parasezonale me Juventusin, një mungesë e papritur dhe e paautorizuar që ka ngritur alarmin në kampin bardhezi.

Sipas gazetarëve, Fabrizio Romano dhe Romeo Agresti, Juventusi pritet të ndërmarrë masa disiplinore ndaj 26-vjeçarit, i cili ka shkelur rregullat duke mos informuar klubin për mungesën.


Transferuar me shumë bujë për 50 milionë euro, Luiz nuk ia doli të lërë gjurmë: pa gola, pa asistime dhe 20 ndeshje të humbura për shkak të dëmtimeve.  Në fushë u duk më shumë si hije se mesfushor lider.

As trajneri aktual Igor Tudor, e as paraardhësi Thiago Motta nuk e panë si titullar të padiskutueshëm. Në Kupën e Botës për Klube luajti vetëm 45 minuta – një tjetër shenjë se raporti me klubin është ftohur.

Ish-lojtari i Aston Villas duket i vendosur të mbyllë kapitullin italian. Ai është përmendur në listat e disa klubeve të Ligës Premier, ndërsa vetë lojtari po shtyn drejt një largimi të shpejtë.

Agjenti i tij pritet të takohet me klube angleze gjatë kësaj jave. Juventusi synon ta shesë për të paktën 40 milionë euro./Telegrafi/ 

telegrafi sport app