Doni Gashi, një tenist shqiptar i lindur dhe rritur në Australi, ka marrë një vendim të rëndësishëm për karrierën e tij sportive.
Ai ka vendosur të përfaqësojë Kosovën në arenën ndërkombëtare, duke e konsideruar këtë një eksperiencë të veçantë dhe domethënëse.
Në një intervistë të shkurtër për Telegrafin, Doni ndau emocionet dhe ambiciet e tij për të ardhmen.
“Karrierën e kam filluar në moshën shtatë vjeçare. Qëllimi im kryesor është të luaj në ATP Tour, por edhe në të gjitha turnet më të mëdha në botë në tenis dhe të kem sukses në to”, deklaroi Gashi, duke shfaqur synimet e tij për të arritur majat e sportit të tenisit.
Vendimi për të përfaqësuar Kosovën vjen nga një ndjenjë e thellë lidhjeje me vendin e origjinës së familjes së tij.
“Kosovën kam vendosur ta përfaqësoj pasi është një eksperiencë jetësore ta përfaqësoj shtetin e familjes dhe timin dhe mburrem që do ta përfaqësoj shtetin e Kosovës në arenën ndërkombëtare,” shprehet ai me krenari.
Doni theksoi se mezi pret të nisë këtë rrugëtim së bashku me Kosovën.
“Të them të drejtën, mezi po pres me filluar këtë rrugë së bashku me Kosovën, pasi unë mburrem që jam nga Kosova,” vazhdoi ai, duke treguar entuziazmin dhe përkushtimin për të dhënë më të mirën në përfaqësimin e vendit.
Ky vendim i Gashit jo vetëm që pasuron karrierën e tij personale, por gjithashtu sjell një vlerë të shtuar për Kosovën në fushën e tenisit ndërkombëtar.
Ai përfaqëson një shembull frymëzues për të rinjtë shqiptarë anembanë botës që duan të ndjekin ëndrrat e tyre, duke ruajtur lidhjet e forta me atdheun e tyre.
Përmes pasionit dhe përkushtimit të tij, Doni Gashi synon të vendosë Kosovën në hartën e tenisit botëror. /Telegrafi/