Dogana dhe AKI godasin kontrabandën e barnave në Pejë dhe Gjakovë

Sot, më 29 janar 2026, Dogana e Kosovës, në koordinim të ngushtë me Agjencinë Kosovare për Inteligjencë (AKI), ka realizuar një operacion të përbashkët kontrolli në Pejë dhe Gjakovë, ndaj disa barnatoreve për të cilat ekzistonin dyshime të bazuara për posedim dhe tregtim të barnave të kontrabanduara.
Në kuadër të këtij aksioni janë angazhuar shtatë njësi operative, prej të cilave një njësi ka kryer kontrolle në territorin e Gjakovës, ndërsa gjashtë njësi të tjera kanë realizuar kontrolle në territorin e Pejës.
Gjatë kontrolleve në disa lokacione janë evidentuar parregullsi në posedimin e medikamenteve, konkretisht mungesë e dokumentacionit përkatës dhe e banderolave fiskale, ndërsa në disa lokacione të tjera nuk janë konstatuar shkelje.
Si rezultat i operacionit, janë sekuestruar gjithsej 988 pako medikamente, vlera e përafërt e të cilave vlerësohet të jetë rreth 10 mijë euro.
Dogana e Kosovës ka bërë të ditur se aksioni është zhvilluar në përputhje të plotë me procedurat standarde operative dhe përbën një tjetër angazhim konkret në luftimin e kontrabandës, mbrojtjen e shëndetit publik dhe forcimin e sundimit të ligjit.
Institucioni ka theksuar se, në bashkëpunim me institucionet e sigurisë dhe inteligjencës, do të vazhdojë kontrollet dhe veprimet operative ndaj çdo aktiviteti të kundërligjshëm./Telegrafi/



















































