DnV: Rinumërimi i plotë është i pashmangshëm – hetimet të përfshijnë edhe kandidatët

Demokracia në Veprim ka vlerësuar se shmangia nga vendimi për rinumërim të plotë të votave në nivel vendi po e thellon krizën e besimit në integritetin e procesit zgjedhor, një javë pas publikimit të gjetjeve të para dhe konfirmimit të devijimeve masive në numërimin e votave preferenciale për kandidatë në disa komuna.
Në reagimin e saj, DnV thekson se devijime të konsiderueshme janë evidentuar jo vetëm në komunat ku është bërë rinumërim i plotë, por edhe në një pjesë të komunave që janë përfshirë në mostrën prej 10 për qind të vendvotimeve, duke nënvizuar se fenomeni nuk është i izoluar.
“Devijime të konsiderueshme janë evidentuar edhe në komunat që janë pjesë e mostrës prej 10 për qind, çka tregon se fenomeni nuk është i izoluar dhe se përmasa reale e shtrembërimit të votës nuk mund të vlerësohet me siguri përmes rinumërimeve selektive”, thuhet në reagimin e DnV-së.
Sipas organizatës, rinumërimi i pjesshëm, pavarësisht zgjerimit të tij, nuk garanton besueshmërinë e rezultatit përfundimtar.
“Vetëm një rinumërim i plotë i votave preferenciale në të gjitha komunat mund të sigurojë se vullneti i votuesve është reflektuar saktë dhe se nuk ka vendvotime të mbetura jashtë verifikimit”, vlerëson DnV, duke shtuar se kjo mbetet mënyra e vetme për rikthimin e besimit publik dhe mbylljen përfundimtare të dilemave mbi legjitimitetin e rezultateve.
Paralelisht, DnV konsideron se gjetjet e deritanishme krijojnë bazë të mjaftueshme që organet e drejtësisë ta trajtojnë këtë çështje me prioritet dhe përmes një hetimi gjithëpërfshirës në nivel vendi.
“Hetimi duhet të shtrihet përtej nivelit teknik të procesit të numërimit”, thekson DnV, duke vlerësuar se modelet e përsëritura të devijimeve në favor të kandidatëve të caktuar krijojnë dyshime të arsyeshme se këto nuk janë pasojë e gabimeve njerëzore apo rastësisë, por e veprimeve të qëllimshme.
Sipas DnV-së, për këtë arsye, edhe kandidatët që rezultojnë përfitues nga këto mospërputhje duhet të jenë pjesë e hetimeve, në mënyrë që të sqarohet nëse ka pasur nxitje, koordinim apo përfshirje direkte apo indirekte në manipulimin e votës. /Telegrafi/





















































