Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit ka njoftuar se janë mbi 1 mijë e 400 zyrtarë që ende nuk e kanë filluar procesin e deklarimit të pasurisë, edhe pse kanë mbetur vetëm edhe tri ditë deri në përfundimin e afatit për deklarimin e pasurisë për vitin paraprak.

Afati për të deklaruar pasurinë është 31.03.2026, derisa deri në mesditën e 29.03.2026, deklarimin e pasurisë e kanë bërë 72.32% apo 7 mijë e 482 zyrtarë publik.


Për dallim nga ta, 13.48% apo 1 mijë e 394 janë ende në proces, kurse 1 mijë e 496 prej tyre apo 14.20 % nuk e kanë filluar fare procesin e deklarimit.

“Nga gjithsej 10,345 zyrtarë të obliguar, mbi 1,400 ende mbeten jashtë procesit, duke rrezikuar drejtpërdrejt shkeljen e afatit ligjor. Tri ditët në vijim janë vendimtare. Çdo mosveprim brenda këtij afati aktivizon automatikisht mekanizmat ndëshkues të paraparë me ligj.”- thuhet në komunikatën e APK-së.

Në këtë komunikatë citohet se Drejtori i kësaj Agjencie, Yll Buleshkaj, ka thënë se deklarimi nuk është opsional por është obligim ligjor.

“Mosrespektimi i afatit ligjor rezulton me shqiptimin automatik të gjobës mandatore në vlerë prej 30% të pagës së subjektit deklarues. Çdo vonesë mbi 15 ditë përbën bazë për inicimin e hetimeve penale. Në këtë fazë, çdo neglizhencë është e pajustifikueshme. Ftojmë të gjithë zyrtarët që të përfundojnë deklarimin menjëherë. Koha po përfundon – veproni tani”, citohet të ketë thënë Buleshkaj.

Kjo Agjenci ka thënë se mosdeklarimi, vonesa apo deklarimi i pasaktë përbëjnë shkelje të obligimeve ligjore dhe trajtohen sipas legjislacionit, duke përfshirë masa administrative dhe procedura penale.

Deklarimi i pasurisë kryhet në këtë vegëz: https://e-deklarimi.rks-gov.net/