LAJMI I FUNDIT:

Disa shpjegime për sëmundjet më të shpeshta të urologjisë

Disa shpjegime për sëmundjet më të shpeshta të urologjisë

Dega e Urologjisë trajton të gjithë pacientët meshkuj dhe femra që kanë probleme me sistemin urinar si te veshkat, ureteret, fshikëza e urinës, uretra dhe prostata (vetëm te meshkujt). Si dhe problemet e sistemit prodhues (seksual) te meshkujt, siç janë testiset, epididimi, vezikulat seminale dhe penisi.

Dr. Ajet Xhafa
Urolog
Tel : 038 60 60 70
Mob: +377 45 502 248 (Viber dhe WhatsApp)
Email: ajetxhafa@hotmail.com

Urologët mund të trajtojnë me terapi medikale problemet te tilla, ose mund të operojnë në rast se ka nevojë. Ndërhyrjet tek fëmijët dhe të rriturit i bëjmë pa prerje klasike (endoskopi ose laparoskopi).


Të gjithë pacientët që kanë problemet e mëposhtme mund të na drejtohen për t’u trajtuar.

1 – Problemet e gurëve në veshka ose në kanal të urinës
2 – Problemet e zmadhimit të prostatës
3 – Problemet e infertilitetit (mospasjen e fëmijëve)
4 – Problemet e kancerit në rrugët urinare
5 – Problemet urologjike te fëmijët (bruhi ose dhjami, testiset e palëshuara, hipospadias, varikocela, ngushtimi i kanalit të veshkës, refluksi veziko-ureteral, etj.)
6 – Problemet seksuale te meshkujt
7 – Problemet e mosmbajtjes së urinës te gratë

Më poshtë do të gjeni disa shpjegime më të hollësishme në lidhje me diagnostikimin dhe trajtimin e disa prej këtyre probleme:

Zmadhimi i prostatës

Pas moshës 50 vjeçare zmadhimi i organit të prostatës shkakton probleme të mëdha në urinim. Disa nga shenjat që vijnë prej zmadhimit të prostatës janë: urinim i shpeshtë natën, urinim me vështirësi dhe ndërprerje, moszbrazje e urinës, gjak në urinë, etj. Te meshkujt që kanë patur të afërm me probleme të tilla, rreziku është më i lartë.

Diagnostikimi bëhet brenda disa orësh dhe urologu vendos nëse keni nevojë të përdorni ilaçe apo të operoheni prej kësaj sëmundje.

Mënyra e ndërhyrjes me TUR është mënyra më e aplikuar sot në botë dhe pa prerje klasike (pa bisturi). Qëndrimi në spital është shumë i shkurtër dhe përmirësimi shihet shumë shpejt nga pacienti.

Në qoftë se keni shqetësime të tilla mund të lini takim me urologun, ku me ndihmën e teknologjisë së re, do t’ju japin rezultatet më të mira për diagnostikimin dhe ndërhyrjen me operacion në kohën e duhur.

Tumori i fshikëzës urinare

Te meshkujt dhe femrat mbi 50 vjeç rreziku për kancerin e fshikëzës urinare është më i lartë. Te personat që kanë pirë cigare si dhe kanë histori të kancerit të fshikëzës në familje, ky rrezik është më i rritur. Për këtë arsye, pas moshës 50 vjeçare udhëzohet kontrolli vjetor nga urologu për këtë grupmoshë.

Gjakderdhja pa dhimbje në urinë është një nga shenjat kryesore për këtë problem. Në raste të tilla, mos humbni kohë dhe lëni takim me urologun. Mos harroni që diagnoza e hershme shpëton jetë.

Varikocela dhe trajtimi i saj?

Varikocela është një zgjerim i venave në pjesën e testiseve dhe duket në rreth 15% të gjithë meshkujve. Kjo sëmundje shkakton prishje në qarkullimin e gjakut në testise dhe më vonë ndikon në prodhimin, numrin, lëvizjen, anatominë e spermës. Dhe në një periudhë të caktuar, të këta meshkuj mund të kenë problem me fertilitetin.

Në 85% ndodh në anën e majtë, por mund të jetë edhe në të dy anët. Simptomat janë dhimbje në testikuj sidomos kur rrinë shumë në këmbë ose kur ushtron në palestër, por në disa raste këto simptoma edhe mund të mos duken. Diagnostikimi bëhet me ekzaminim fizik, por në disa raste bëhet edhe një ultratingull i testiseve.

Trajtimi, zakonisht bëhet me një prerje të vogël në pjesën e fundit të barkut në anën e majtë, ndërsa qëndrimi në spital është vetëm një ditë. Mënyra më e mirë sipas udhëzimeve evropiane është prerja inguinale ose subinguinale dhe operacioni bëhet me ndihmën e mikroskopit. Emri i operacionit është Varikocelektomi Mikroskopike.

Kanceri i prostatës

Kanceri i prostatës është kanceri që paraqitet më shpesh te meshkujt në gjithë botën, sidomos pas moshës 50 vjeçare, rreziku është më i lartë. Për këtë arsye, pas kësaj moshe, udhëzohet vizitë urologjike dhe analiza gjaku e PSA-së çdo vit.

Kanceri i prostatës nuk jep shenja deri kur të shkaktojë probleme për jetën, ndaj kontrolli vjetor është shumë i rëndësishëm për diagnostikimin e hershëm të sëmundjes.

Gurët në rrugët urinare

Në popullatën tonë gurët (kalkula) në rrugët urinare shihen shumë shpesh dhe këta gurë, sipas vendndodhjes në veshkë, mund të japin dhimbje të forta ose mund t’i bëjnë dëm veshkës pa shkaktuar fare dhimbje. Shenjat janë dhimbjet e forta në një prej anëve të barkut, poshtë shpinës ose gjak në urinë. Ndërkohë personat që kanë patur një të afërm me gurë në veshka, udhëzohen të bëjnë kontrolle të rregullta tek urologu herë pas here.

Urologët mund të bëjnë trajtimin me ilaçe ose të bëjnë thyerjen e këtyre gurëve me operacione endoskopike, pa patur nevojë për operacion të hapur.

Infertiliteti mashkullor dhe roli i urologut

Te më pak se gjysma e shtatzënive, faktori kryesor për infertilitet (mospasjen e fëmijëve) është mashkulli. Në një pjesë të madhe të këtyre meshkujve nuk gjendet spermë në analizat e dhëna (azospermi). Por, kjo nuk do të thotë që në testikuj nuk prodhohet spermë. Me anë të një ndërhyrje të vogël kirurgjike që quhet MicroTESE në testikuj, mund të gjendet spermë dhe sperma e gjetur mund të injektohet në citoplazmën (ooplazma) e vezëve dhe të bëhet bashkimi fizik i tyre në mënyrë artificiale.

Çfarë është operacioni MicroTESE dhe sa zgjat? Me ndihmën e mikroskopit synohet të merren pjesë nga kanalet e prodhimit të spermës që janë më të zgjeruara dhe më të shëndosha. Kjo lloj teknike ka disa avantazhe në krahasim me teknikat e tjera të marrjes së spermës. Mikroskopi ndihmon që të merren pjesë sa më të mira dhe pa prishur sistemin e enëve të gjakut. Në shumicën e rasteve bashkimi i spermës së marrë dhe vezës bëhet menjëherë, sepse suksesi është më i lartë me spermë të freskët, por në disa raste këto inde mund të ruhen dhe të përdoren për një bashkim të dytë në rast dështimi.

Testiset e palëshuara

Te fëmijët testiset zbresin para lindjes në qese (skrotum) dhe aty zhvillohen në mënyrë të shëndetshme. Por rrallëherë mund të mbesin në kanalin që zbret në qese, brenda në bark ose të jenë të lëvizshme (retraktil). Në këto raste testisi mbetet në një temperaturë më të lartë seç duhet dhe me kalimin e kohës, struktura e testisit prishet. Kështu, ndodh humbja e funksionit kryesor që është prodhimi i spermës dhe hormonit të testosteronit.

Në rast se nuk ndërhyhet para moshës 2 vjeçare, në të ardhmen këta fëmijë përballen me infertilitetin (mospasjen e fëmijëve) ose mund të rritet rreziku për kancer të testiseve. Për këtë arsye pediatri duhet që të ekzaminojë testiset e fëmijës suaj dhe në rast se nuk vërehen në qese, atëherë duhet të takoheni me një urolog.

Hipospadias

Kjo është një anomali që vërehet te fëmijët meshkuj pas lindjes. Dalja e urinës është në pjesën e poshtme të penisit ose rrallëherë afër qeses (skrotum). Në këto raste zakonisht edhe lëkura rreth vrimës ku del urina ka defekt.

Hipospadias është një sëmundje që duhet të trajtohet me shumë kujdes nga urologu për të mos patur probleme në të ardhmen. /Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Plaga e hapur në lukth: Të gjitha simptomat e të thatit dhe si t’i zbusim vështirësitë e pakëndshme!

Plaga e hapur në lukth: Të gjitha simptomat e të thatit dhe si t’i zbusim vështirësitë e pakëndshme!

Shëndetësi
Kalo në kategori