LAJMI I FUNDIT:

Dimri dhe gjëndra tiroide

Dimri dhe gjëndra tiroide
Dr. Rreze Serhati Morina, endokrinologe

Kur bën ftohtë a ju shtohet mërzia? Gjatë dimrit a ju rrinë të ftohtë dhe të mpirë gishtat, hunda ose veshë? Ç’është SAD dhe sindroma Raynaud?

Dr. Rreze Serhati Morina
Endokrinologe
tel. 049667722


A është gjëndra juaj tiroide e gatshme që ta përballojë të ftohtit e dimrit? Nëse keni nënfunksion të tiroides, atëherë moti i ftohtë mund të bëjë që të keni melankoli (ose depresion) si dhe duart e këmbët t’ju rrinë të ftohta. A duhet ta modifikoni terapinë? Si mund ta menaxhoni ndikimin e temperaturave të ulëta në gjëndrën tiroide?

Tiroidja është dirigjenti që e rregullon mirëmbajtjen e termorregullimit, pra të temperaturës normale trupore që në gjendje qetësie tek të rriturit është 37°C.

Kur organizmi juaj i ekspozohet të ftohtit, kjo bën që TSH (thyroid stimulating hormone) të rritet dhe rrjedhimisht rritet edhe prodhimi i hormoneve të tiroides në mënyrë që të kompensohet të ftohtit.

Nëse ju keni nënfunksion të tiroides, atëherë gjëndra tiroide nuk ka kapacitet që ta shtojë prodhimin e hormoneve dhe duhet të fillohet mjekimi (ose të rritet doza nëse tashmë jeni duke marrë mjekim).

Rritja e TSH manifestohet me shenjat e zakonshme të hipotiroidizmit si plogështia, depresioni, ulja e përqendrimit dhe shtimi në peshë. Poashtu, mund ta vëreni se nuk mund ta duroni të ftohtit dhe se sidomos duart dhe këmbët ju mërdhijnë.

Këto shenja bëhen shumë më të shprehura sa më në moshë që është pacienti.

Për ta shmangur këtë “krizë dimërore” bisedoni me mjekun dhe diskutoni se a duhet të vlerësohet TSH dhe se a duhet të modifikohet (ose të fillohet) trajtimi.

Kini parasysh se sapo të ngrohet moti ju do të duhet ta ulni dozën e barnave.

Mënyra tjera për ta luftuar të ftohtin janë:

– Ushtrimet e rregullta trupore (që e rrisin metabolizmin)
– Mbani dorashka dhe çorapë të ngrohta
– Konsumoni ushqimi termogjenike si speca, avokado, mish, gjalpë dhe vaj kokosi.
– Pini supë të ngrohtë dhe pije tjera të ngrohta.

Nëse keni nënfunksion të tiroidesë, atëherë ju jeni më të rrezikuar që të keni të ashtuquajturin SAD (seasonal affective disorder ose çrregullimi afektiv sezonal) që është i shpeshtë gjatë dimrit kur ekspozimi ndaj rrezeve të diellit është më i paktë.

Shenjat e SAD janë:

-plogështia dhe lodhja,
-zvogëlimi i përqendrimit,
-humbja e energjisë,
-gjumi i tepërt,
-ngrënia e tepërt (sidomos e ëmbëlsirave),
-shtimi në peshë, dhe
-shmangia e aktiviteteve sociale dhe e kontaktit me persona tjerë.

Në këto raste krahas trajtimit të tiroides, një mënyrë e mjekimit është ekspozimi ndaj dritës. Mund të bëhet ekspozimi ndaj rrezeve të diellit. Çdo mesditë dilni në shëtitje, por mos mbani syze dielli, sepse ato e bllokojnë efektin pozitiv që kanë rrezet e diellit në luftimin e shenjave të SAD.

Poashtu, duhet ta kontrolloni nivelin e vitaminës D dhe të merrni suplemente nëse keni mungesë të kësaj vitamine.

Nëse shenjat e SAD vazhdojnë, atëherë bisedoni me mjekun se a keni nevojë të merrni barna kundër depresionit.

Nëse keni sëmundje autoimune të tiroidesë (Hashimoto ose Graves), atëherë jeni më të rrezikuar ndaj sindromës Raynaud që lidhet me qarkullimin e gjakut në gishtat e duarve dhe të këmbëve, në hundë dhe në veshë.

Shenjat e sindromit Raynaud janë:

-mavijosja dhe zbehja e ekstremiteteve kur i ekspozohen të ftohtit,
-mpirja e gishtave, e hundës dhe veshëve,
-therja si me gjilpërë dhe dhimbja e gishtave, hundës dhe veshëve,
-enjtja e gishtave, hundës dhe veshëve

Nëse i keni këto shenja, por nuk keni probleme me tiroiden, patjetër konsultohuni me endokrinologun dhe bisedoni se a duhet ta kontrolloni gjëndrën tiroide, sepse këto dy çrregullime mund të kenë lidhshmëri me njëra tjetrën. /Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Kur trupi ‘qan’ për ndihmë: Shtatë shenjat që tregojnë sasi të tepërt të hekurit në gjak

Kur trupi ‘qan’ për ndihmë: Shtatë shenjat që tregojnë sasi të tepërt të hekurit në gjak

Shëndetësi
Kalo në kategori