Dikur u pezullua për gjashtë muaj për shkak të ryshfetit - tani gjykon ndeshjen e madhe PSG-Arsenal

Gjyqtari gjerman Felix Zwayer është caktuar të drejtojë ndeshjen e dytë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve mes Paris Saint-Germain dhe Arsenalit, e cila do të zhvillohet të mërkurën, më 7 maj, në "Parc des Princes".
PSG hyn në këtë përballje me një avantazh minimal 1-0 nga ndeshja e parë në Londër, ku fitoi fal golit të Ousmane Dembeles.
Zwayer, 43 vjeç, është një nga gjyqtarët më të vlerësuar nga UEFA dhe ka përvojë në ndeshje të nivelit të lartë.
Megjithatë, karriera e tij ka qenë e shoqëruar nga një skandal i njohur. Në vitin 2005, si gjyqtar i ri, ai u përfshi në një aferë manipulimi ndeshjesh, duke pranuar një ryshfet prej 250 eurosh nga kolegu i tij Robert Hoyzer.
Për këtë arsye, Zwayer u pezullua për gjashtë muaj, ndërsa Hoyzer u dënua me mbi dy vjet burg dhe u përjashtua përgjithmonë nga futbolli.
Pavarësisht të kaluarës, Zwayer ka rikuperuar reputacionin e tij dhe ka gjykuar disa nga ndeshjet më të rëndësishme në Evropë.
Tashmë, ai do të gjykojë këtë përballje vendimtare mes PSG-së dhe Arsenalit, ku të dyja ekipet synojnë të sigurojnë një biletë për finalen e madhe që do të zhvillohet në Mynih më 31 maj. /Telegrafi/























































