Diabetes mellitus në popull njihet si sëmundje e sheqerit. Në esencë diabeti ka të bëjë çrregullim të shfrytëzimit të insulinës nga qelizat e trupit të njeriut. Nëse nuk ka insulinë të mjaftueshme ose ajo nuk është efektive, niveli i glukozës (sheqerit) në gjak do të ngritet
Dr. Tefik Bekteshi,
kardiolog
Sëmundja me komplikime të shumta
Sëmundja e sheqerit (diabetes mellitus) shoqërohet me komplikime që përfshinë dëmtimet e syrit, veshkave, enëve të gjakut dhe nervave periferik. Diabetes mellitus është shkaku kryesor i humbjes të pamurit, humbjes së funksionit të veshkave dhe amputimeve të gjymtyrëve te të rriturit.
Pacientët me diabet kanë dy deri pesë herë të rritur rrezikun për sëmundje të sistemit kardiovaskular krahas popullatës pa diabet. Duhet shtuar se shumica e atyre që kanë sëmundje të sheqerit janë obez (të majmë), kanë hipertension dhe i kanë të çrregulluar yndyrat në gjak. Rreth 70% të pacientëve me diabet vdesin për shkak të komplikimeve kardiovaskulare.
Si “fitohet”diabeti?
Insulina është hormon që prodhohet në pankreas. Pankreasi është një organ i vendosur pas lukthit dhe zorrës dymbëdhjetëgishtore. Ushqimi i konsumuar, në lukth dhe zorrë zbërthehet në glukozë. Glukoza (sheqeri) “thithet” në gjak dhe dërgohet në qelizat e trupit tuaj për t’u përdorur për energji.
Insulina vepron si “çelës” për të ndihmuar sheqerin për të hyrë në qeliza. Pra, nëse nuk ka insulinë të mjaftueshme, ose nëse ajo nuk është efektive, sheqeri nuk hynë në qeliza dhe do të rritet në gjak. Tipi 2 i diabetit shfaqet në familje të caktuara.
Anëtarët e këtyre familjeve kanë besueshmëri më të lartë se do të zhvillojnë diabet, në krahasim me popullatën tjetër. Me fjalë të tjera, nëse dikush në familjen e ngushtë ka diabet, rreziku se kjo sëmundje do të zhvillohet edhe te ju është relativisht e lartë.
Qelizat e njerëzve obez e kanë më vështirë të përdorin insulinën. Ky fenomen quhet rezistenca në insulinë. Në këto raste, pankreasi prodhon më shumë insulinë që të “kompenson” këtë rezistencë. Kështu në gjak ka më shumë glukozë se që duhet dhe më shumë insulinë se zakonisht!
Si bëhet diagnostikimi?
Gjaku për analizë merret pas tetë orësh esëll, pra pa konsumim ushqimi dhe lëngjeve që kanë glukozë. Nëse vlerat e sheqerit në gjak (glikemisë) janë mbi 7.0mmol/l në së paku dy ditë të ndryshme, diagnoza është e diabetit është e konfirmuar. Mund të shfrytëzohet edhe testi i ngarkesës me 75g glukozë, por në praktikë kjo është më e rrallë.
Barna që zakonisht përdorën
Mjerisht, disa pacientë nuk janë në gjendje të ndërrojnë stilin e jetës (dietës dhe aktivitetit fizik). Për këta pacientë ekziston mundësia e zvogëlimit të sheqerit në gjak me anë të barnave.
Grupi i barnave që më së shpeshti te ne përdorët janë të ashtuquajtura derivatet e sulfonylures të cilat stimulojnë sekretimin e insulinës. Gjithnjë e më shumë përdorën biguanidet që kryesisht zvogëlojnë hedhjen e sheqerit në gjak nga mëlçia. Grupi i tretë i barnave janë glitinidet.
Duket se metformina (grupi i biguanideve), në shumicën e rasteve është bari i parë që duhet përdorë.
Emrat e ndryshëm të barnave nuk duhet të sjellin konfuzion. Pacienti (ndoshta edhe mjeku) duhet të dinë emrin gjenerik të barit. Emrat e preparateve të mbrojtura, emrat e fabrikave me të cilët bari gjendet në treg janë të ndryshëm. Këtu zhvillohet luftë e madhe në mesë konkurrentëve të ndryshëm që prodhimin e vet të plasojnë në treg.
Parimisht, legjislatura e një vendi duhet të përcakton kriteret e kualitetit të preparateve që gjenden në barnatore dhe t’i garanton konsumatorit (pacientit) se cilido nga preparatet ka kualitet të standardizuar.
Insulina është bari më i vjetër për të zvogëluar nivelin e sheqerit në gjak. Barriera kryesore e përdorimit të vonshëm të insulinës është mënyra e aplikimit (përmes injeksioneve), por edhe frika nga hipoglikemia (ulja e tepërt e sheqerit në gjak), si dhe nga shtimi i peshës.
Të gjitha këto barna mund të kombinohen në mes veti dhe të përdorën njëkohësisht: insulina me barna tjerë, apo barna me mekanizëm të ndryshëm veprimi. Ekzistojnë edhe qasje tjera (për shembull insulina që merret me inhalim, pankreasi artificial, transplantimi i qelizave beta të pankreasit, etj.), por ajo që më së shumti preokupon strategët e shëndetit nacional dhe botëror është parandalimi i sëmundjes
Parandalimi i komplikimeve
Studimet dëshmuan se trajtimi agresiv i diabetit (mbajtja e nivelit të sheqerit në gjak rreth 5-7mmol/l), mjekimi intensiv i hipertensionit dhe çrregullimit të yndyrave në gjak reduktojnë dukshëm komplikimet, në rend të parë ato kardiovaskulare. Natyrisht se duhet filluar nga edukimi i pacientit dhe metodat jo farmakologjike (pa barna), siç është dieta, ndërprerja e tymosjes së duhanit dhe aktiviteti fizik. Kjo shpesh nuk kushton, përkundrazi, mund shumë të kursehet!
Me kohëzgjatje të diabetit, zakonisht glikemia rritet, kryesisht për shkak të reduktimit të funksionit të qelizave që prodhojnë insulinën (hormonin i cili zvogëlon nivelin e sheqerit në gjak). Në esencë individi mund të bënë shumë në parandalimin e komplikimeve. Për shembull, shpesh ndodhë që vetëm me humbje të peshës stabilizohet niveli i sheqerit në gjak. Natyrisht, prej humbjes në peshë ka edhe dobi tjera, në rend të parë zvogëlohet rreziku nga sëmundjet kardiovaskulare.
Me kontrollimin e nivelit të sheqerit në gjak, arrihet deri te parandalimi apo “shtyrja” e komplikimeve të kësaj sëmundje. Me fjalë tjera, duhet të kontrolloni sheqerin e juaj në gjak – mund të bëni këtë në laboratorë të shumtë apo më mirë të pajiseni me aparat për matje të nivelit të sheqerit. Kështu nuk do të vareni, do të keni “në dorë” kontrollin e sëmundjes. Ka disa lloje të këtyre aparateve në treg. Të gjitha këto aparate si mostër përdorin një pikë të vogël gjaku. Zakonisht gjaku merret me thumbimin e gishtit.
Kur të zgjidhni aparatin, ndoshta më e rëndësishme është të siguroheni për materialin shpenzues – shiritat për testim – sa kushton dhe a gjendet gjithmonë në treg! Mos harroni të merrni edhe shirita për të kontrolluar urinën. Paraqitja e sheqerit në urinë do të thotë se nuk keni kontroll të plotë të nivelit të sheqerit në gjak.
Ndonjë dietë speciale?!
Ushqimi rrit nivelin e sheqerit në gjak, aktiviteti fizik e zvogëlon. Infeksionet dhe stresi rrisin nivelin e sheqerit në gjak, barnat antidiabetik zvogëlojnë nivelin e sheqerit. Pra, duhet gjetur balanca.
Ushqimi furnizon trupin tuaj me sheqer. Ju do t’i ndihmoni vetes suaj në kontrollin e sheqerit në gjak duke u siguruar që hani gjëra të duhura dhe në sasi të duhur. Nuk ekziston një dietë e vetme për secilin person që ka diabet. Por, disa parime vlen të mësohen mirë:
Ushqimi i pasur me karbohidrate mund të rrit shpejt sheqerin në gjak. Buka, drithërat, brumërat, pastat ose perimet me amidon siç janë misri dhe patatet janë shembuj të tillë. Zgjidhni ushqimin e pasur me fibra: pemët, sidomos perimet, leguminozet (fasulja dhe bizelja), buka e vrugët dhe cerealet. Ushqimi me vlerë të ulët të yndyrave, sidomos yndyrave të ngopura dhe kolesterolit është i mirëseardhur.
Kujdes kur të zgjidhni mishin dhe qumështin. Mishi duhet të jetë pa dhjam, preferohet mish peshku, mishi i shpezëve pa lëkurë, si dhe qumështi me pak yndyrë.
Kufizoni sasinë e sheqerit të përqendruar. Ushqim i tillë janë: bonbonet dhe çokollatat, pijet e gazuara dhe ëmbëlsirat. Hani ushqimet dhe shujtat tuaja përafërsisht në të njëjtën kohë dhe në sasi të njëjtë për çdo ditë dhe kurrë mos kapërceni shujtën.
Alkooli nuk është “armik i përbetuar i njeriut”. Nëse jeni të aftë të pini alkool, pini me ushqim dhe mos e teproni! Një pije për femra dhe dy për meshkuj “nuk është kundër rregullave”. Një pije është e barabartë me 166 ml verë, 400 ml birrë ose 50 ml pije të fortë (raki, uiski).
Aktiviteti fizik është i domosdoshëm!
Aktiviteti fizik ndihmon që të mbahet niveli i sheqerit në gjak nën kontroll duke ndihmuar qelizat e organizmit të shfrytëzojë më mirë insulinën. Me aktivitet fizik “fitojmë edhe dobi tjera”: forcojmë zemrën, zvogëlojnë tensionin arterial, kontrollojmë peshën trupore, zvogëlojmë yndyrat në gjak, përmirësojmë dukjen e jashtme dhe përmirësojmë stabilitetin psikik.
Natyrisht për aktivitet fizik duhet të jeni të përgatitur. Duhet të keni veshmbathjen e duhur. Lëndimet, sidomos të shputave nuk janë të mirëseardhura te peronat me diabet – ato mund të janë shumë të rrezikshme kur të infektohen!
Niveli i aktivitetit fizik do të varet nga mundësit individuale, por parimisht është i domosdoshëm për të kontrolluar mirë sëmundjen e sheqerit. Nuk duhet harruar që me aktivitet fizik mund të shkaktohet hipoglikemia – gjendje kur bie niveli i sheqerit në gjak. Kjo mund të shkaktohet duke marrë dozë të tepruar të barnave antidiabetike, por edhe vetëm duke “kaluar” shuajtjen e zakonshme dhe duke aplikuar aktivitet të tepruar fizik.
Është shumë me rëndësi që të njihen menjëherë simptomat e sheqerit të ulët në gjak: përqendrimi i vështirësuar, zemërim e hidhërim i shpejt dhe i panevojshëm, djersitje, plogështi, ndjenje urie, rrahje të shpejtuara të zemrës, dhembje koke… Zakonisht është e mjaftueshme të pihet një gotë lëngu nga portokalli apo të merret 2-3 kokrra sheqeri.
Diabeti dhe zemra
Sëmundjet e sistemit kardiovaskular (zemrës dhe enëve të gjakut) janë ngushtë të lidhur me sëmundjen e sheqerit. Mbi gjysma e të sëmurëve me diabet vdesin nga shkaqet kardiovaskulare. Manifestimi më i shpeshtë kardiovaskular te të sëmurit nga diabeti është sëmundja koronare. Mjekimi korrekt i diabetit prolongon shfaqjen e disa komplikimeve të diabetit siç është dëmtimi i syrit, nervave dhe veshkave.
Sa i përket komplikimeve në zemër kjo nuk është e vërtetuar, por nga gjithë shoqatat e kardiologëve insistohet që te këta të sëmurë të kontrollohen faktorët tjerë të rrezikut: hipertensioni, pirja e duhanit, obesiteti dhe çrregullimet e yndyrave..
Diabeti ka ndikim në prognozën e të sëmurëve nga zemra
Në rast të zhvillimit të infarktit të zemrës, pritet që dy deri katër herë më shumë të vdesin meshkujt me diabet se ata pa te. Te femrat ky raport është katër deri shtatë herë më i lartë. Edhe komplikimet e infarktit janë më të shpeshtë te diabetikët.
Shërimi i pacientit me diabet që ka zhvilluar edhe sëmundje koronare është pothuajse i njëjtë por duhet me qenë shumë më agresiv në trajtimin e hipertensionit dhe faktorëve tjerë të rrezikut. Revaskularizimi me PCI (hapja e vendeve të ngushtuara në arterie koronare me balon) dhe vendosje të stentit (unazës rrjetore metalike) është më pak i suksesshëm dhe bëhet më rrallë në krahasim me korrigjim kirurgjik (bypass) te diabetikët.
Diabeti jep komplikime të ndryshme
Neuropatia që përfshinë sistemin nervor autonom (i cili kontrollon funksionin e organeve) është e zakonshme te diabetikët. Këta pacientë kanë rrahje më të shpeshta të zemrës në krahasim me njerëz që nuk kanë diabet. Diabetikët shpesh vuajnë nga i ashtuquajturi hipotensioni ortostaik (kur pacienti ngritët nga pozita e shtrirë në këmbë, bie shtypja e gjakut e si pasojë është marramendja, pasiguria në hapat e parë).
Duhet të them se hipotensionin ortostatik mund të shkaktojnë edhe barnat që merren për kontroll të shtypjes së lartë të gjakut. Pasi një përqindje e madhe e diabetikëve ka të çrregulluar ndjeshmërinë e dhembjes, infarkti i zemrës mund të kalon i pavërejtur. Ky konstatohet me ekzaminim të rastit pas një kohe.
Dobësia e zemrës është relativisht e shpeshtë te diabetikët dhe më me vështirësi kontrollohet në afat të gjatë. Te diabetikët më shpesh vjen deri te infeksionet të cilët keqësojnë gjendjen e përgjithshme, kërkojnë nga zemra punë të shtuar të cilën ajo objektivisht nuk është e aftë të bëjë. Kjo manifestohet klinikisht me lodhje në hapat e parë, frymëzëne, ënjtje të këmbëve, etj.
Te diabetikët ndryshimet pësojnë enët e gjakut në periferi. Tipike janë ndryshimet në arteriet e këmbëve, sidomos shputat ushqehen më dobët me gjak. Me kohë vjen deri te ndryshimet në lëkurë të shputave, ato janë të gjithmonë të ftohta dhe në rast të lëndimit sado të vogël këto vështirë shërohen.
Nuk është e rrallë që një gërvishtje e zakonshme të komplikohet dhe të përfundon me amputimin e shputës apo edhe këmbës. Prandaj kujdesi i diabetikut për shputa duhet të jetë i veçantë. Për këtë diabetologu dhe motra e cila merret me edukim të këtyre pacientëve kanë obligim të vërtetohen se pacienti është mirë i njoftuar si duhet të kujdeset për shputat e veta (mbajtja e pastërtisë, çorapët të cilat nuk shtrëngojnë, këpucët e gjëra, nuk duhet ecë dathë, etj.).
Zemra mund të mbrohet
Shoqata e kardiologëve dhe diabetologëve amerikan që moti publikoi udhëzimet për mjek: çka duhet bërë te diabetikët e që nuk kanë simptoma për sëmundje të zemrës? Së pari evidentohen simptomat që eventualisht kanë lidhshmëri me sëmundje të zemrës.
Me kujdes ekzaminohen arteriet periferike dhe ato karotide (që ushqejnë me gjak kokën). Bëhet elektrokardiogrami në të cilin zakonisht nuk ka ndryshime, por është i domosdoshëm për krahasim në ekzaminimet e ardhshme.
Nëse pacienti nuk ka aktivitet të mjaftuar fizik duhet të bëhet planifikimi i aktivitetit fizik të përditshëm (kjo është domosdoshmëri!).
Bëhen analizat e gjakut dhe të urinës. Vlerat që kërkohen janë: për kolesterol më pak se 5.2 mmol/l, për LDL më pak se 3.1 mmol/l, për HDL më shumë se 1.1 mmol/l, urina nuk duhet të përmbaj më tepër se 30 mg proteina për 24 orë.
Shtypja e gjakut duhet të ketë vlera më të ultë se 135/85 mmHg. Pirja e cigares rreptësisht ndalohet dhe evidentohet fakti për ekzistencë të sëmundjes koronare në familje të ngushtë.
Pra, çdo gjë fillon me bisedë detaje me mjekun tuaj. Ndoshta pengesat që i keni do t’i sugjerojnë mjekut të bënë ekzaminim të qëlluar e me ekzaminim do të konstatohen ndryshimet eventuale dhe këto do të evidentohen për t’i përcjellë në të ardhmen.
Ju duhet të mësoni të jetoni me diabetin dhe vazhdimisht këshillohuni me mjekun tuaj! Sa më shumë që dini për sëmundjen tuaj, aq më mirë do ta luftoni! /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
Sancho mund të largohet nga Chelsea, por jo nga Anglia – atë e do me ngulm rivali i tyre
Një epokë e re në bashkëpunimin ushtarak: Ja se si vendet anëtare të BE-së "po bashkohen për një mbrojtje të avancuar”
Ish-deputetët e LVV-së kritikojnë kryeministrin Kurti për mungesën e fokusit në bashkimin kombëtar
"Kam 90 për qind gjasa që s'do mbijetoj", zbardhet biseda telefonike që Diana realizoi me babanë e saj para se të largohej nga BBVK
Publikohen pamjet tronditëse të momenteve të fundit të Liam Payne sa ishte gjallë - stafi i hotelit kryen lëvizje të çuditshme dhe ka mospërputhje të kohës
Zyrtari i lartë ushtarak britanik: Jemi të gatshëm qysh sonte të luftojmë me Rusinë