Detajet financiare të transferimit të Tammy Abraham te Roma janë analizuar – 40 milionë euro plus bonuset dhe klauzola e riblerjes nga Chelsea për 80 milionë euro nga viti 2023, por vetëm pesë milionë euro paguhen tash.

23-vjeçari i ka kaluar ekzaminimet mjekësore gjatë fundjavës dhe e ka nënshkruar kontratën, por është dashur të kthehej në Londër për të përfunduar dokumentacionin për vizë dhe për leje të punës.


Sipas Sky Sport Italia, detajet e marrëveshjes së komplikuar janë bërë të ditura dhe tregojnë se si ia kanë dalë Giallorossët ta transferojnë lojtarin.

Çmimi total i transferimit është 40 milionë euro plus bonuset e lidhura me performancën e sulmuesit anglez.

Chelsea do të përfitojë vetëm pesë milionë euro këtë verë, 20 milionë euro të tjera deri në verën e vitit 2024 në këste të ndryshme, si dhe 15 milionë euro të tjera në sezonin 2024/2025.

Klubi anglez e ka ruajtur opsionin e riblerjes së Abraham për 80 milionë euro, por është valid vetëm nga korriku i vitit 2023.

Paga vjetore e lojtarit pritet të jetë 4.5 milionë euro neto, por kjo ndodh falë ligjeve tatimore të Italisë që synon sjelljen e talentëve të rinj (meqenëse Roma do të paguajë bruto vetëm 5.8 milionë euro për pagën e tij). /Telegrafi/

telegrafi sport app