Dënohet me 22 vjet burgim i akuzuari për vrasjen në një supermarket në Podujevë

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpall aktgjykim dënues për Arsim Sylën për rastin e vrasjes së V.B në “Interex” në Podujevë, duke e dënuar me 22 vjet burgim.
Gjyqtarja, Fatime Dërmaku e shpalli fajtor Arsim Sylën për veprën penale “Vrasje e Rëndë“ duke e dënuar me 22 vite burgim.
Ajo theksoi se palët kanë të drejtë ankesa në Apel brenda 30 ditësh, ndërsa e dëmtuara bashkëshortja e V.S, Lirie Sylejmani mund të realizoj kërkesë pasurore-juridike në kontekst të rregullt juridiko-civil.
“I akuzuari Arsim Syla konform nenit 364 Kodi i Procedurës Penale është fajtor për veprën penale në bashkëkryerje ‘vrasje e rëndë‘ nga neni 173 paragrafi 1 pika 1.5 dhe 1.8 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal. Andaj gjykata për këtë vepër penale e gjykon me dënim me burgim me kohëzgjatje prej 22 vite burgim. Të akuzuarit Arsim Syla në dënimin e shqiptuar i llogaritet koha e kaluar në paraburgim nga data 11 shtator 2023 e tutje.
Të akuzuarit, Arsim Syla i vazhdohet masa e paraburgimit deri në plotfuqishmëri të këtij aktgjykimi.
E dëmtuara Lirie Sylejmani për realizimin e kërkesës pasurore-juridike udhëzohet në kontest të rregullt juridiko-civil. Detyrohet i pandehuri Arsim Syla që në emër të shpenzimeve të procedurës penale t’i paguaj shpenzimet në emër të paushallit gjyqësor shumën prej 200 euro dhe në emër të fondit të viktimave të krimit shumën prej 50 eurove”, tha ajo, raporton Telegrafi.
Por, çfarë thotë dosja e Prokurorisë?
Sipas dosjes së Prokurorisë, i akuzuari A.S. me qëllim të hakmarrjes e për shkak të një konflikti që kishte pasur më herët gjatë vitit 2022 me tani të ndjerin V. B. dhe Sh. R., i pandehuri ka porositur djalin e tij të mitur që ta privojë nga jeta tani të ndjerin V. B., dhe duke rrezikuar edhe jetën e personave të tjerë.Sipas Prokurorisë, më 11.09.2023, rreth orës 11:30, i pandehuri A. S. me djalin e tij të mitur shkojnë në kafiterinë e marketit ‘Interex’ në Podujevë nga ku vëzhgojnë rrugën “Zahir Pajaziti”.
Rreth orës 12:20, vërejnë tani të ndjerin V. B. se hyn në marketin “Interex’” së bashku me bashkëshorten e tij, tani të dëmtuarën L. S., dhe fëmijën e tyre 4-vjeçar.
Në aktakuzë thuhet se A.S. me të miturin dalin nga restoranti i marketit, duke zbritur shkallëve. A.S. e orienton të miturin në drejtim të të ndjerit V. B., i cili vihet në ndjekje të tij.Ndërkaq, A. S. vazhdon për të dalë nga objekti, raporton kallxo.com.
Në momentin kur tani i ndjeri V.B., së bashku me bashkëshorten e tij, të dëmtuarën L. S. dhe fëmijën e tij, arrijnë te sektori i produkteve të qumështit i mituri i afrohet nga mbrapa, nga afërsia fillimisht shtie dy herë në drejtim të V. B. (e qëllon në shpinë dhe në qafë).
Sipas dosjes, njëra nga predhat e tejshkon trupin e tani të ndjerit V. B. dhe e qëllon edhe të dëmtuarën, bashkëshorten e tij, L. S.Tutje, në aktakuzë thuhet se L.S., kishte filluar të ikte në momentin kur kishte dëgjuar krismën.
I mituri kishte nxjerrë nga çanta pistoletën tjetër, me të cilën qëllon edhe 4 herë në kokë tani të ndjerin V. B.Ky i fundit, tanimë ishte i shtrirë në tokë.
Si pasojë e këtyre të shtënave nga arma e zjarrit V. B. vdes në vendin e ngjarjes, kurse e dëmtuara L. S. dërgohet në QKUK për shkak të plagëve të rënda që pëson.
Gjithnjë sipas aktakuzës, menjëherë pas të shtënave, i mituri me shpejtësi del nga marketi “Interex” dhe largohet në këmbë në drejtim të panjohur.
I pandehuri A.S. afrohet te vetura e tipit “Mercedes E 200”, të cilën e kishte parkuar përballë “Interex”-it dhe shkon në shtëpinë e vet, që gjendet në fshatin Gllamnik të Podujevës, ku edhe është arrestuar nga pjesëtarët e Policisë së Kosovës.
Gjatë bastisjes, në shtëpinë e tij janë gjetur e sekuestruar: një pistoletë dhe një pushkë gjuetie me dylbi me leje për mbajtje me 62 fishekë të pistoletës si dhe 20 fishekë të pushkës së gjuetisë e dy antiplumba.
Me këtë i pandehuri A. S. akuzohet se në bashkëkryerje me të miturin ka kryer veprën penale – vrasje e rëndë. /Telegrafi/



















































