Shoqata për Kthimin e Shqiptarëve të Shpërngulur nga Trojet e Veta ka shpallur konkursin mbarëkombëtar për pikturë me temën “Dëbimet e vitit 1998/1999 – Dhimbja, Qëndresa dhe Shpresa”, me qëllim që të zgjojë kujtesën kolektive dhe të përcjellë mesazhin e tragjedisë që përjetuan mbi 1 milion shqiptarë të dëbuar me dhunë nga Kosova gjatë luftës.

Konkursi fton artistë nga e gjithë hapësira shqiptare të reflektojnë përmes artit mbi një nga periudhat më të dhimbshme të historisë sonë, duke nxjerrë në pah dramën njerëzore, qëndresën dhe shpresën e atyre që u detyruan të braktisnin shtëpitë e tyre.


Kush mund të marrë pjesë?

Të gjithë artistët shqiptarë, brenda dhe jashtë vendit, mund të aplikojnë me deri në dy vepra pikture, të realizuara me cilëndo teknikë. Dorëzimi mund të bëhet fizikisht ose përmes dërgimit të fotografive me rezolucion të lartë.

Çdo punim duhet të shoqërohet me të dhënat personale të autorit dhe një përshkrim të shkurtër të veprës. Aplikimet pranohen në numrin zyrtar të konkursit: +383 48 640 190.

Çmimet

Çmimi i parë: 700 €

Çmimi i dytë: 500 €

Çmimi i tretë: 300 €

Afati i aplikimit

Afati i fundit për dorëzimin e punimeve është 1 prill 2026, në atelienë e artistit Agron Mulliqi, në lagjen e piktorëve në Ulpianë – Prishtinë.

Promovimi i librit dhe ekspozita

Punimet e përzgjedhura do të ekspozohen gjatë aktivitetit që shënon 27-vjetorin e eksodit të vitit 1999.

Në këtë event do të promovohet edhe libri “Bllaca ’99 – II: Përjetimet e të dëbuarve me dhunë nga forcat serbe”, i autorit Jahja Lluka. Eventi do të mbahet në Prishtinë, më 10 prill 2026.

Shoqata thekson se arti mbetet një mjet i fuqishëm për të dëshmuar atë që fjalët nuk mund ta shprehin:

“Le të flasë arti dhe pena, për atë që zemra nuk mund ta shpërthejë me fjalë!”

Konkursi synon jo vetëm të kujtojë tragjedinë e dëbimeve të shqiptarëve gjatë luftës, por edhe të nderojë qëndresën e popullit dhe të ruajë dëshmitë e kësaj periudhe për brezat e ardhshëm.