LAJMI I FUNDIT:

Debati për standardin e vitit 1972 vazhdon, por fshihen ende disa hollësi

Debati për standardin e vitit 1972 vazhdon, por fshihen ende disa hollësi
Lekë Tasi (foto: Agron Shala, 2019)

Nga: Lekë Tasi

1. Që debati mbi problemet themelore të vendit është jetik, këtë e demonstron historia e dy shekujve të fundit. Ka qenë elita që në momente kritike, si në 1878 dhe në 1910-‘11, përpiqej për autonomi dhe pavarësi respektivisht, por me një sfond social të pasqaruar se ç’duhej bërë.

Ajo u mbushte mendjen njerëzve që t’i mobilizonte. Në 1944, me shtetin tanimë të formuar, përpjekja do të shndërrohej për mbijetesë si shoqëri perëndimore, pra, e hapur, apo si pjesë e bllokut komunist, pra, e mbyllur. Kriza e sotme nxjerr të tjera motive për t’u përplasur, por me origjinë gjithmonë distancën e vjetër mes faktorësh historikisht të përçarë, që me kohë u armiqësuan shumë e me pasoja tragjike.


Nuk duhet fshehur e kaluara, ajo është e pranishme dhe e dëshmon mbrojtja që i bëhet një dokumenti të pretenduar si shkencor: Gjuha Standarde e 1972, kur vetë shkencëtarët e kohës u mënjanuan për shkak të kërkesave shkencore që ai nuk i përmbushte. Në vend të ishte një fatkeqësi për të gjithë, insistohet të mos thuhet kjo e vërtetë, pra, të përfshihen ata dijetarë të nderuar në një përgjegjësi që s’e kishin dhe s’e ka kujtimi i tyre. Konstantja e mbetur mes dy palëve është po ajo: dallimi mes elitës që e vuan urgjencën për të afirmuar identitetin dhe opinionit publik, atij rinor që priret ta marrë punën pa fort impenjim, ose atij të moshuar që mendësia e sotme e do larg problemeve dhe politikës.

2. Midis intelektualëve me interesa letrare, çështja e Standardit ngre njëfarë debati nëse vlen të mbahet më gjuha zyrtare e trashëguar nga diktatura, me bazë dialektin tosk apo shtrohet detyra për një gjuhë përfaqësuese të gjithë shqiptarëve. Kjo dilemë mund të apasionojë më shumë në këtë fillim mijëvjeçari, meqë të shkolluarit janë shtuar, ndër ta edhe një shtresë e kualifikuar që merret edhe me letërsinë e artin tonë krahas librave e veprave të huaja, jo thjesht për detyrë, por se shijon veçanërisht cilësinë e prodhuar në vend.

Hapja me botën e bën shqetësuese përqasjen mes të dyjave për faj të prapambetjes së grumbulluar, ndaj edhe shton urgjencën për ndryshim. Opinioni i gjerë, siç thamë, nuk e ndien këtë problem, i plagosur siç është nga rehatia një pjesë, me efekt pakësimin o zhdukjen e leximit, ose me iluzionin mirëbesues se debati spontan aktual dhe produkti i larmishëm letrar në treg do ta sjellin vetiu zgjidhjen së afërmi. Një shpresë e bazuar kjo, por me afat të gjatë realizimi dhe pa orientim pro njërës, o tjetrës zgjidhje.

Harrohet që nën pasionin për gjuhën e plotë shqipe, pra për hyrjen në përbërje të dialektit geg, qëndron edhe “revanshi” i mbuluar jo vetëm kulturor i Veriut, një e drejtë kjo e shkelur, dhe që pa u shtruar edhe si ngeç historik, s’mund të arrihet plotësia kombëtare dhe as mbyllja reale e kapitullit komunist. Te kjo zvarritje e maskuar si ‘kohë që mbyll plagët’, bazohet inercia e mbetëse e diktaturës, fitimtare e padiskutuar e fazës së tranzicionit dhe zotëruese aktuale e skenës. Aleati më i vyer i saj: të marrurit me punët e ditës, emigracioni, të gatuarit në TV dhe plot bjerrakohës, rini e qejfeve!

Mirëpo, të mbetesh larg sofrës, edhe mbasi je masakruar, kjo perspektivë, që e quajta për këtë rast thjesht revansh kulturor të shumicës veriore (llogarit këtu edhe Kosovën), mund ta sensibilizojë opinionin po qe se do t’i parashtrohet tabloja e shtrimit me zjarr të çdo rezistence me ngjyrat e tij të vërteta. Vetëm ndërgjegjësimi i asaj që ka ndodhur edhe në shkolla dhe në sferën e kulturës (me libra, teatër, filma) do ta bëjë më të mirëpeshuar vendosjen ose jo të plotësisë së gjuhës si kusht që drejtësia dhe ekuilibri, të dhunuara për gjysmë shekulli, të rivihen në vend. Nga ana e kundërt, që don ruajtjen e statu quo-s, kemi një reagim të butë, por të vendosur, për ta lënë të paprekur ekuilibrin e dhunuar, me shpresë që mirëqenia të arnohet mbi padrejtësinë dhe njëanësinë. Kësisoj e nesërmja të vijë si një fatalitet, dhe gjuha së bashku me të tjera ndryshime në çdo fushë të pranohen si taksa që koha t’i imponon … Zgjidhja e çështjes, pra, ose ndodh tashti përmes këtij debati në liri, ose nuk do vijë kurrë.

3. Shohim të përdoren edhe argumente të llojit personal në adresimin mes palëve, sikur përgjegjësia në një fushë dikur nuk të shlyhet më, as me luftën e fortë që ti bën kundra të dikurshmes në një fushë tjetër. Për ta prishur këtë klimë të vogël vjen parashtrimi prej tri faqesh i filologut Mehmet Elezi (‘Ex Libris’ dt. 1 tetor), që na njeh me faktet e panjohura të Kongresit të Drejtshkrimit (1972). Fakte skandaloze, që komprometojnë çdo mbrojtje të atij kongresi dhe fryteve të tij në rrafshin shkencor dhe në të gjitha kohërat.

Ai kongres, sipas fakteve që shpalos Prof. Elezi, s’ishte veçse një mbledhje figurash sekondare të gjuhësisë dhe të një mase aktivistësh që u porositën të miratojnë një draft të prurë për firmë. Mënjanimi në thelb i gjuhëtarëve të shquar Eqrem Çabej, Aleksandër Xhuvani, përjashtimi i Selman Rizës dhe e shumë e shumë të tjerëve, si edhe i studimit bazë “Ortografi e gjuhës shqipe” të gjuhëtarëve kosovarë, moslejimi i asnjë propozimi alternativ, dëshmonte qysh atë moment për stilin tipik enverist edhe në fushën e shkencës, me fyerjen plus që vinte përmbi dijen shkencore “diskutimin popullor”, d.m.th. direktivën që s’pranon as komente, po vetëm brohoritje…

Ngurtësia e hartuesve të atëhershëm konfirmon autorësinë e kushtëzuar të pjesëmarrësve, por shpjegon edhe motivimin e mbrojtjes që i bëjnë Standardit sot hartuesit ose pasonjësit. Me këtë zgjerim të hollësishëm si profesionist të informacionit që i bën autori Kongresit, nuk sugjeron as dënimin moral të hartuesve (dihet se sa të lirë kanë qenë të refuzonin…) dhe as të vetë Standardit, që ka vlerën e vet, dhe kjo u jep të drejtë kundërshtarëve të replikojnë me forcë, ngaqë e duan Standardin të vlefshëm dhe me formulë të plotë. Këtë sjellje përjashtuese të çdo debatuesi me pikëpamje të kundërta e kemi tipar të përhapur, dhe argumenti kryesor tipik vendës është që “i hiqet e drejta për t’u shprehur kujtdo që ka qenë dikur në post drejtues.

(A nuk të kujton kjo për kontrast Naimin, i cili duke qenë shef i Censurës në qendër të perandorisë, ndërmori pastrimin rrënjësor të Shqipes nga çdo lloj barbarizmash, i fokusuar madje tek ato turke e arabe?)

Dhe pikërisht e ngjashmërish, të pasurit z. Elezi njëherazi edhe post, edhe një vazhdë të gjatë kundërshtimi të Standardit qysh prej 1990 (e sigurisht edhe më herët, por në heshtje) me libra, artikuj, pjesëmarrje në konsulta, e bën edhe më të vlefshëm argumentin e tij kundërshtues dhe vendos kriterin thjesht shkencor në vlerësimin të dëshmisë, duke lënë jashtë konsiderata të tjera. Në shkrimin e tij ai nxjerr në dritë paligjësitë e procedurës, refuzimet mbi bazë marksizmi vendas (!) të çdo kontributi të hershëm dhe aktual që nuk përkonte me këto kritere klasore dhe partiake, e sidomos atyre katolike, deri edhe të humanistëve të hershëm si Buzuku e Budi si të përkitura ‘feudalizmit fisnor’ (!), shkodranishtes si ‘gjuhë e klerit reaksionar’, Komisisë Letrare, si ‘vepër e Austrisë, Zogut (!) dhe Italisë’, dhe i bënë këto shkelje duke tejkaluar Stalinin e tyre, që e konsideron gjuhën të pa karakter klasor …

4. Por kjo ngurtësi e procedurës antishkencore atëhershme, e shfaqur me hollësi nga Z. Elezi, ka rrezik t’u kalojë akademikëve të sotëm, kur/ose nëse refuzojnë debatin në seli dhe me respektin e duhur. Dhe si për ta bërë kontrastin më të fortë, papritmas del në shtyp (“Panorama”, dt. 6 tetor 2022) artikulli i historianit Romeo Gurakuqi me një ekspoze të ngjeshur, megjithëse parciale, të veprimtarive studimore shqiptare në vitet 1940-1944. Instituti i Studimeve Shqiptare, i papërmendur deri sot gjatë tërë diktaturës dhe më pas nga Akademia e Shkencave (së paku për publikun e gjerë), paska bërë një volum pune të habitshëm kur e përfytyron gjendjen e rëndë (kohën e L2B) gjatë së cilës studiuesit punuan: në gjuhësi, folklor, arkeologji, etnografi, botime të autorëve të shquar dhe të dokumenteve historike mesjetare dhe moderne, përpilim të Atlantit Gjuhësor Shqiptar, blerje të kostumeve kombëtare në Kosovë, koleksioneve me monedha antike etj. Karakteristike e institutit është pjesëmarrja e gjerë e studiuesve më në zë e me stazh të gjatë veprimtarie, italianë dhe shqiptarë (që mbas shtatorit 1943 të parët do të vazhdonin të ishin bashkëpunëtorë të jashtëm, pra, i mirëpritur kontributi i tyre).

Karakteristikë e dytë: të gjithë aktivistët e këtij Instituti me kontribute të shquara, por që u ndodhën brenda kufijve u zhdukën, ekzekutuar, o burgosur, o të detyruar të heshtnin gjatë dekadave që pasuan. Ky përjashtim i prerë i kujtdo që s’plotëson kushtet e zyrës së kuadrit përfshiu dhe përfshin edhe sot këdo që nuk rreshtohet në vazhdimësi me Akademinë e djeshme që është edhe e sotmja. Ajo feston sot 50-vjetorin e formimit të saj dhe tre të pestat e jetës së saj i gëzon në liri. Por për sa i takon dekretimit të Standardit në 1972, ajo e ruan qëndrimin e saj si atëherë, edhe sot, dhe do që ai të ruhet në të ardhmen dhe me çdo kusht. Po varfërimi i gjuhës? Eh, ç’të bëjmë.. ka ndodhur, fatalitet.. PERSPEKTIVAT.

E vështirë të fitojë miratim shkencor në kohë një vendosje e tillë e ngrirë në pozita antishkencore. Po edhe të opinionit, sado zemërgjerë të jetë në qasjen e tij optimiste se koha dhe kontributet në tregun editorial do të sjellin harmonizimin dhe zgjidhjen. Në fakt, konflikti i vërtetë, po ta mendosh, nuk është mes dy pozicioneve, standard-antistandard, por mes vullnetit nopran të këtij të fundit që e do riafirmimin e plotësisë së gjuhës edhe si akt drejtësie për viktimat e flijuara në altarin e Standardit (koka të mençura që ranë mes pasivitetit të përgjithshëm si një episod çfarëdo i luftës së klasave) dhe opinionit të gjerë që e ka humbur këtë noprani në fatalizmin e tij optimist. Për këtë bëra hyrjen historike ku spikat elita në ndjekjen e kauzave, e ndjekur me hap të matur nga masa…

Se si do të shkojë puna, këtë mund ta presim nga marrëveshja mes subjekteve të përfshira drejtpërdrejt në debat profesionist, mes tyre dy specialistët që përmenda më lart, Profesorët Elezi dhe Gurakuqi, që me respektin për profesionin e tyre dhe të vërtetën shkencore, me një fjalor monumental të shqipes i pari, dhe me një dokumentim të munguar deri sot të Historisë i dyti, e meritojnë plotësisht mosqenien akademikë, sikundër rezulton aktualisht. Kurse në sektorin e opinionit mjaft me peshë, do ta presim rëndimin e indikatorit pro plotësisë së gjuhës nga mbetja e gjuhës shtëpiake e veriorëve (Shkodër e kulturuar në traditën më të lashtë- Gegëri instiktive – Kosovë irredentiste). Meqë është e gjallë ajo, me kohë ta ndjemë të gjithë të ngushtë kostumin standard në trupin e tonë dhe do ta zhbëjmë mekanikisht si një rrobë të vjetër që hidhet tej.