LAJMI I FUNDIT:

“Dardharja”

“Dardharja”

Alije Sulo ka pasur fatin ta ketë portretin për një çerek shekulli në zyrat e OKB-së. Është pikërisht ajo, “Dardharja” e tablosë së Nexhmedin Zajmit, krijuar enkas për të udhëtuar larg.

“Nuk ishte edhe aq e vështirë. Ishim brenda përbrenda familjes dhe nuk pata asnjë problem që të pranoja propozimin e piktorit. Unë isha e fejuara e kunatit të Zajmit, ndaj edhe pranova”, tregon ajo. “Isha e re, 22 apo 23 vjeç, në vitet e para të institutit”.

Sa për kostumin e dardhares, ajo kujton se nuk qe i saji, porse ia sollën. Piktori e kishte gjetur pranë Ansamblit Popullor dhe ajo e veshi për këtë rast.


Sigurisht, që ajo tablo të realizohej aq mjeshtërisht, janë dashur orë e orë të tëra punë. Ndaj, nuk ka qenë e lehtë për studenten e re të qëndronte e palëvizur.

“Jam një gjyshe e lumtur, e plotësuar dhe kënaqësia ime më e madhe sot është kur atë pikturë e shikojnë nipërit dhe mbesat e mia. Ajo pikturë është bërë edhe kalendar, dhe kur mbesa ime hyri në një lokal e pa në mur, tha: ‘Kjo është gjyshja ime! Nuk ka gëzim më të madh për mua”, thotë ajo.

Një surprizë e vërtetë kishte qenë kur gjatë ditëve të Panairit të Librit, mes stendash, kishte gjetur edhe katalogun me portretin e saj në kopertinë dhe ajo e befasuar kishte pyetur vajzën që shërbente: “A e dini se kush është kjo?” Çfarë kënaqësie kur ajo i tha: “Jeni ju!”.

E ekspozuar për 25 vjet me radhë në ambientet e OKB-së, piktura sot gjendet në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë. /Panorama/