Conceicao flet para përballjes ndaj Interit: Nuk jam më i lumturi në botë

Trajneri i Milanit, Sergio Conceicao ka pranuar se ai nuk është "më i lumturi në botë" pas humbjes me rezultat 2-1 të Milanit kundër Napolit në Serie A të dielën, që i mban kuqezinjtë në vendin e nëntë në tabelë.
Sidoqoftë ai ka dhënë vlerësimin e tij dhe një përditësim mbi lajmet e ekipit përpara ndeshjes së parë gjysmëfinale të Kupës së Italisë kundër Interit të mërkurën mbrëma.
Milani është i pamposhtur kundër Interit në tre takimet e tyre këtë sezon. Kuqezinjtë fituan ndeshjen e tyre të parë në Serie A kundër ‘Nerazzurrëve’ dhe finalen e Superkupës së Italisë në Riad. Takimi më i fundit në ‘San Siro’ rezultoi në një barazim 1-1 në Serie A.
"Kanë qenë ndeshje të rëndësishme për ne. Situatat janë të ndryshme, me lojtarë të ndryshëm në fushë. Do të shohim nëse mund të kemi një lojë të mirë nesër, le të shohim se çfarë mund të bëjë Interi," ka thënë Conceicao gjatë konferencës së tij për shtyp .
"Ata janë një ekip shumë i fortë me një lojë solide dhe një trajner që ka qenë atje për një kohë të gjatë. Por ne duam të fitojmë”.
"Grupi është mirë, Loftus-Cheek do të kthehet sot në Milano. Të gjithë të tjerët janë në dispozicion. Ne kemi ende një seancë stërvitore nesër”.
“Bëmë një punë të diferencuar për ata që luajtën më shumë kundër Napolit, pastaj pak punë taktike sot dhe nesër, me më pak intensitet”.
“Është në dorën time të vendos se si ta bëjmë një 11-she dhe që ata që janë në stol të hyjnë dhe të luajnë mirë. Nëse do të mund të luaja me 26 titullarë, do ta bëja, por kjo nuk është e mundur", ka thënë Conceicao./Telegrafi/














































