Vëllai i Rexhep Selimit, Ramadan Selimi, ka kritikuar publikisht diferencimin e çlirimtarëve të UÇK-së në protestat dhe veprimet simbolike kundër Dhomave të Specializuara në Hagë.

Në një reagim të fundit, Selimi thekson se çlirimtarët nuk maten me flamuj selektiv, por me unitet dhe qëndrim të përbashkët politik e shoqëror.


Ai shpreh shqetësim mbi flamurin e ngritur së fundmi në Drenicë, i cili sipas tij "simbolikisht i kushtohet vetëm dy prej tyre, Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit"

Selimi pyet se a është i drejtë ky diferencim?

“A është e moralshme dhe politike që disa oponentë, madje edhe brenda spektrit politik që i ka nxjerrë këta liderë, të ndajnë çlirimtarët në 'më të merituar' dhe 'më pak të merituar', kur të gjithë po përballen me një aktakuzë të njëjtë – të përpiluar nga Serbia dhe të ngritur nga Dhomat e Specializuara në Hagë?", ka shkruar vëllai i Rexhep Selimit.

Ramadan Selimi nënvizon se kontributi i të gjithë anëtarëve të UÇK-së është i pandashëm.

"Hashim Thaçi, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli janë një emër i vetëm në histori: UÇK-ja. Kontributi i secilit prej tyre për çlirimin e Kosovës është i pamohueshëm dhe i pandashëm. Çdo tentativë për t’i veçuar apo për t’i hierarkizuar është jo vetëm padrejtësi historike, por edhe dëm për kauzën që ata përfaqësojnë sot në Hagë", është shprehur ai.

Ramadan Selimi gjithashtu shtron pyetje mbi mbështetjen simbolike që u jepet vetëm disa prej çlirimtarëve.

"A i bën nder ky diferencim atyre dhe vetë PDK-së, veçanërisht kur dihet se djali i Jakup Krasniqit është nominuar nga kjo parti si kandidat për deputet në Kuvendin e Kosovës. Si mund të ndihet ai, por edhe familjet e të gjithë të akuzuarve tjerë që gjinden prapa grillave në Hagë, kur sheh flamuj, bilborde dhe mbështetje simbolike vetëm për dy emra, ndërkohë që babai i tij dhe Rexhep Selimi kanë dhënë po aq – nëse jo më shumë – për lirinë e këtij vendi?", ka shkruar Selimi.

Selimi thekson se nëse vërtet besojmë se gjykimi në Hagë është padrejtësi ndaj luftës çlirimtare, atëherë mbështetja duhet të jetë e barabartë, e sinqertë dhe pa dallime.

“Çlirimtarët nuk maten me flamuj selektivë, por me unitet dhe qëndrim të përbashkët politik e shoqëror. Historia nuk i ndan ata. As ne nuk duhet t’i ndajmë", ka shkruar ai. /Telegrafi/