LAJMI I FUNDIT:

City fiton ndaj Bournemouthit dhe vazhdon garën e ngushtë për titull me Liverpoolin

City fiton ndaj Bournemouthit dhe vazhdon garën e ngushtë për titull me Liverpoolin
Riyad Mahrez, Manchester City, Bournemouth (Foto: Richard Heathcote/Getty Images/Guliver)

Manchester Cityt i ka mjaftuar një gol për ta mposhtur Bournemouthin në udhëtimin në stadiumin Dean Court, në ndeshjen e vlefshme për javën e 29-të në Ligën Premier.

Një prej momenteve të rrezikshme në pjesën e parë ishte kur Kevin De Bruyne pasoi te Bernardo Silva, mirëpo ai goditi jashtë portës nga brenda zonës.

Kevin De Bruyne u lëndua në pjesën e parë (Foto: Richard Heathcote/Getty Images/Guliver)

Në fund të gjysmës së parë, De Bruyne pësoi një lëndim dhe u detyrua ta lëshonte fushën. Në vend të tij, Pep Guardiola e inkuadroi Riyad Mahrezin.


Ishte pikërisht anësori algjerian, ai që e mposhti portierin Artur Boruc (55′), por falë një angazhimi të David Silvas, i cili e ndërtoi aksionin dhe e dhuroi asistimin.

Riyad Mahrez e zhbllokoi rezultatin (Foto: Richard Heathcote/Getty Images/Guliver)

Në vazhdim të ndeshjes, Raheem Sterling i pati dy shanse të mirë, mirëpo në të dyja rastet intervenoi portieri vendas. Ndërsa me një goditje fantastike, Sergio Aguero e goditi shtyllën.

Me këtë fitore, Manchester City qëndron në krye të tabelës me dy pikë më shumë se Liverpooli (që të dielën e zhvillon derbin lokal kundër Evertonit).

Bournemouthi është i 12-ti në tabelë dhe me 10 fitore, katër barazime dhe 15 humbje, qëndron larg zonës së rrezikut dhe shpreson ta sigurojë qëndrimin në elitën e  futbollit anglez.

Në xhiron e ardhshme, City është nikoqir i Watfordit, ndërsa Bournemouthi udhëton te Huddersfield Town./Telegrafi/