Çfarë thanë liderët botërorë pas sulmit të Iranit ndaj Izraelit?

Udhëheqësit globalë kanë dënuar me shpejtësi veprimet e Teheranit, duke kërkuar përmbajtje për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm.
Në përgjigje të sulmeve të fundit me dronë nga Irani ndaj Izraelit, liderët nga e gjithë bota kanë lëshuar një valë të fortë dënimi.
Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, tha se Bashkimi Evropian dënon fuqishëm sulmet e Iranit ndaj Izraelit.
"Ky është një përshkallëzim i paprecedentë dhe një kërcënim i rëndë për sigurinë rajonale", shkroi Borrell në X, përcjell Telegrafi.
Ndërsa presidenti i SHBA-së, Joe Biden, i cili u kthye herët nga një udhëtim i fundjavës për të monitoruar ngjarjet në Lindjen e Mesme nga Shtëpia e Bardhë, përsëriti mbështetjen e tij për Izraelin.
Ai përmendi se kishte thirrur një takim me ekipin e tij të sigurisë kombëtare për të diskutuar zhvillimet e fundit.
Në një postim në X, Biden tha: "Sapo u takova me ekipin tim të sigurisë kombëtare për një përditësim mbi sulmet e Iranit kundër Izraelit. Përkushtimi ynë për sigurinë e Izraelit kundër kërcënimeve nga Irani dhe përfaqësuesit e tij është i hekurt".
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres bëri thirrje për një ndërprerje të menjëhershme të këtyre armiqësive.
“As rajoni dhe as bota nuk mund të përballojnë një luftë tjetër”, paralajmëroi ai në deklaratën e tij.
"Jam thellësisht i alarmuar për rrezikun shumë real të një përshkallëzimi shkatërrues në mbarë rajonin. U bëj thirrje të gjitha palëve të ushtrojnë përmbajtje maksimale për të shmangur çdo veprim që mund të çojë në konfrontime të mëdha ushtarake në fronte të shumta në Lindjen e Mesme", thuhet në deklaratën e tij.
Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Rishi Sunak theksoi: "Unë dënoj në termat më të ashpër sulmin e pamatur të regjimit iranian kundër Izraelit. Irani ka treguar edhe një herë se synon të mbjellë kaos...".
Ndërkohë ministri i Jashtëm francez Stephane Sejourne tha: "Franca dënon në termat më të ashpër sulmin e nisur nga Irani kundër Izraelit. Duke vendosur për një veprim të tillë të paprecedentë, Irani po ndërmerr një hap të ri në veprimet e tij destabilizuese dhe po merr rrezikun e një përshkallëzimi ushtarak".
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani, përmendi se është në kontakt të ngushtë me ambasadorët në Teheran dhe Tel Aviv, duke shtuar se "Ne kemi folur me Kryeministrin dhe Ministrin e Mbrojtjes. Qeveria është e përgatitur të trajtojë çdo skenar".
Kryeministri në detyrë i Holandës, Mark Rutte, tha se situata në Lindjen e Mesme është shumë shqetësuese, duke vënë në dukje: "Më herët sot, Holanda dhe vendet e tjera i dërguan një mesazh të qartë Iranit që të ndalojë sulmin ndaj Izraelit".
Very concerning situation in the Middle East. Earlier today the Netherlands and other countries told Iran loud and clear to refrain from attacking Israel. The Netherlands strongly condemns Iran’s attack on Israel. Further escalation must be avoided. I just spoke with @DefensieMin…
— Mark Rutte (@MinPres) April 13, 2024
"Holanda dënon fuqishëm sulmin e Iranit ndaj Izraelit. Përshkallëzimi i mëtejshëm duhet të shmanget. Ne vazhdojmë të monitorojmë situatën nga afër," shtoi Rutte.
"Ne dënojmë fuqishëm sulmin e vazhdueshëm, i cili mund të zhysë një rajon të tërë në kaos. Irani dhe përfaqësuesit e tij duhet ta ndalojnë këtë menjëherë. Izraeli ka solidaritetin tonë të plotë në këtë kohë", ka thënë ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock.
Gjithashtu, kryeministri kanadez Justin Trudeau bëri të ditur se kombi i tij "dënon pa mëdyshje sulmet ajrore të Iranit kundër Izraelit".
"Ne qëndrojmë me Izraelin. Pas mbështetjes së sulmit brutal të Hamasit të 7 tetorit, veprimet e fundit të regjimit iranian do të destabilizojnë më tej rajonin dhe do ta bëjnë paqen e qëndrueshme më të vështirë", tha Trudeau në një deklaratë.
"Ne mbështesim të drejtën e Izraelit për të mbrojtur veten dhe popullin e tij nga këto sulme". /Telegrafi/




















































