Pas procesit të votimit dhe mbështetjes së Lumir Abdixhikut nga Kuvendi i LDK-së për të qëndruar në pozitën e kryetarit të kësaj partie, është deklaruar anëtarja e këtij subjekti politik, Hykmete Bajrami.

Ajo para gazetarëve tha se do ta respekton vendimin e Kuvendit, i cili votoi kundër dorëheqjes së Lumir Abdixhikut.


“E kam thënë edhe më herët, po e përsërisë prapë, LDK është më e madhe se secili prej nesh, respektoj vendimin e Kuvendit të LDK-së", tha ajo shkurt.

Kuvendi i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka votuar kundër dorëheqjes se kryetarit, Lumir Abdixhiku. 164 delegatë ishin kundër dorëheqjes dhe 136 pro dorëheqjes së Abdixhikut.

Fillimisht para votimit, delegatëve iu është prezantuar letra për votim: “A e pranoni dorëheqjen e Lumir Abdixhikut - Po, Jo.”

LDK, me këtë proces ka vendosur që Abdixhiku të vazhdojë si kryetar i këtij subjekti politik, përkundër rezultatit të dobët në zgjedhjet e 28 dhjetorit për Kuvendin e Kosovës.