Douglas Luiz nuk bën më pjesë në planet e Juventusit. Pas një sezoni zhgënjyes në Torino, “Zonja e Vjetër” i ka kërkuar mesfushorit brazilian të kërkojë një skuadër të re për të ardhmen, me tre klube të Ligës Premier që kanë shfaqur interes të menjëhershëm për shërbimet e tij.

Luiz iu bashkua Juventusit verën e kaluar nga Aston Villa për një shumë totale prej 51.5 milionë euro (50 milionë të pagueshme në katër vite, plus bonuse), dhe firmosi një kontratë pesëvjeçare që skadon më 30 qershor 2029. Megjithatë, qëndrimi i tij në Itali nuk ka përmbushur pritshmëritë.


Mungesa e formës optimale fizike dhe vështirësitë në përshtatje – si në aspektin jetësor, ashtu edhe në atë taktik – kanë bërë që lojtari të mos lërë asnjë gjurmë me fanellën bardhezi.

Drejtuesit dhe stafi teknik kanë vendosur të mos i japin një mundësi të dytë, duke i komunikuar qartë se nuk llogarisin më tek ai për projektin e ardhshëm sportiv.

Sipas raportimit të Matteo Moretto në kanalin e Fabrizio Romano, Juventusi nuk i ka mbyllur derën me forcë, por i ka lënë hapur mundësinë për të gjetur vetë një klub të ri. Në këtë drejtim, tri skuadra nga Liga Premier – kampionati ku Luiz shkëlqeu me Aston Villan – kanë kontaktuar për të marrë informacion.

Everton dhe Fulham janë dy klubet që kanë bërë kërkesa konkrete pranë Juventusit dhe përfaqësuesve të lojtarit, duke pyetur për kushtet e largimit. Ndërkohë, Manchester United ka rikthyer interesimin e mëhershëm dhe ka zhvilluar kontaktet e para në mënyrë joformale.

Një rikthim në Angli shihet si mundësia më realiste për mesfushorin 26-vjeçar, i cili kërkon një rilindje në karrierë për të rifituar formën dhe për të mbetur në orbitën e trajnerit të Brazilit, Carlo Ancelotti, në prag të Kupës së Botës 2026. /Telegrafi/ 

telegrafi sport app