Site icon Telegrafi

Bunjaku me një mesazh emocionues kujton Vokrrin: Një legjendë si Fadili nuk vdes kurrë

Legjenda e futbollit kosovar dhe ish-presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri ka përvjetorin e katërt të vdekjes.

Data 9 qershor e vitit 2018 ishte datë e kobshme për futbollin kosovar, pasi vdekja mori një legjendë, një njeri që dha shumë për pranimin dhe avancimin e vendit tonë në futbollin ndërkombëtar.

E miku më i mirë i Vokrrit dhe njëherit krahu i djathtë i tij ishte ish-anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FFK-së, Flamur Bunjaku.

Bunjaku e Vokrri kanë qenë bashkëpunëtorë të ngushtë, derisa edhe në kongresin e FIFA-s në Meksikë në vitin 2016 ishin së bashku.

Presidenti i Dritës ka kujtuar me një mesazh emocionues mikun e tij të përjetshëm, Fadil Vokrrin.

Postimi i plotë i Flamur Bunjakut.

Katër vite pa mikun tim të përjetshëm, legjendën Fadil Vokrri.

Ai nuk është fizikisht në mesin tonë, por një legjendë si Fadili nuk vdes kurrë, pasi gjithmonë do ta kujtojmë për atë se çka i dha futbollit dhe shtetit të Kosovës.

Ishim së bashku në të gjitha sfidat dhe peripecitë në betejën të cilën ti e udhëhoqe, kaluam mundime, hidhërime, dështime por prap qëndroje krenar dhe vazhdoje luftën për futbollin Kosovarë. Fitove në çdo betejë e me ty të gjithë ne, e unë fitova edhe më shumë, fitova një mik të çmueshëm si ty dhe të humba shumë shpejt. Edhe sot pikëllimi im për ty nuk shëron dhimbjen miku im.

Pusho në paqe IKONË, do të mbetesh gjithmonë në mendjet dhe zemrat tona.

Miku yt i përjetshëm,

Flamur B. /Telegrafi/

Exit mobile version