Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka bërë një sërë emërimesh dhe riemërimesh në kabinetin ekzekutiv komunal, duke finalizuar përbërjen e udhëheqjes për mandatin e ri qeverisës.

Me këtë vendimmarrje, Fahri Restelica është emëruar Nënkryetar i Komunës së Podujevës. Ai ka përfunduar studimet në Fakultetin e Shkencave Politike dhe prej vitit 2008 ka ushtruar detyrën e zyrtarit të lartë në Agjencinë për Barazi Gjinore, në kuadër të Zyrës së Kryeministrit.




Restelica për disa vite ka qenë edhe koordinator i Lëvizjes Vetëvendosje në Besianë. Kryetari Bulliqi e ka uruar për detyrën e re, duke i dëshiruar suksese në punë.

Në vazhdën e emërimeve, Bahri Selimi është riemëruar drejtor i Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim.



Selimi, jurist me profesion dhe ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka drejtuar këtë drejtori edhe në mandatin e kaluar, ndërsa më herët ka udhëhequr Drejtorinë e Administratës.

Saranda Stublla është riemëruar drejtoreshë e Drejtorisë për Pronë, Kadastër dhe Gjeodezi. Ajo ka përfunduar studimet në Fakultetin Juridik dhe këtë pozitë e ka ushtruar edhe gjatë mandatit të kaluar.



Shuajb Blakçori do të vazhdojë të udhëheqë Drejtorinë e Inspeksionit. Ai ka studiuar në Fakultetin Ekonomik, ndërsa studimet e magjistraturës i ka përfunduar në drejtimin Ekonomi e Gjelbër dhe Zhvillim i Qëndrueshëm Ekonomik.

Blakçori ka përvojë të konsiderueshme menaxheriale në sektorin privat dhe më herët ka shërbyer edhe si drejtor i Administratës në Podujevë.



Po ashtu, Vigan Salihu është riemëruar drejtor i Drejtorisë për Planifikim dhe Zhvillim Ekonomik. Ai ka përfunduar studimet master në Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë në drejtimin Agrobiznes dhe është i certifikuar në standardet e sigurisë ushqimore. Salihu më parë ka udhëhequr edhe Drejtorinë e Bujqësisë në Komunën e Podujevës.

Kryetari Shpejtim Bulliqi ka uruar të gjithë të emëruarit për detyrat e reja dhe ka theksuar rëndësinë e punës profesionale dhe bashkëpunimit të ngushtë për avancimin e shërbimeve publike dhe zhvillimin e qytetit. /Telegrafi/