Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), së fundmi ka mbajtur Mbledhjen e Këshillit Drejtues, organit më të lartë vendimmarrës ndërmjet dy kongreseve, me qëllim të forcimit të funksionimit të brendshëm sindikal dhe të rritjes së koherencës organizative të Konfederatës.

Mbledhja është udhëhequr nga Kryetari i BSPK-së, Prof. dr. Atdhe Hykolli, i cili theksoi rëndësinë e vendimmarrjes së qëndrueshme institucionale dhe të ndërtimit të kapaciteteve sindikale si parakusht për një përfaqësim të besueshëm, funksional dhe afatgjatë të punëtorëve.


"Në këtë mbledhje janë trajtuar çështje të rëndësisë së veçantë për veprimtarinë sindikale, me theks në nevojën për koordinim më të avancuar ndërmjet federatave, komunikim të strukturuar institucional dhe përgatitje organizative për sfidat që kërkon dialogu social bashkëkohor. Vendimmarrja e Këshillit Drejtues ka reflektuar orientimin e BSPK-së drejt funksionalitetit, stabilitetit dhe përfaqësimit të qëndrueshëm sindikal", thuhet në njoftim.

Në vazhdim të kësaj mbledhjeje, BSPK ka zhvilluar seminar sindikal dyditor, më 13 dhe 14 dhjetor 2025, me temën "Forcimi i rolit të federatave sindikale të BSPK-së në lëvizjen sindikaliste të Kosovës.”

Seminari është zhvilluar sipas një agjende të strukturuar dhe gjithëpërfshirëse dhe është përqendruar në çështje thelbësore për ndërtimin e kapaciteteve sindikale dhe fuqizimin e veprimit kolektiv, përfshirë:

- organizimin dhe funksionimin operativ të strukturave të BSPK-së;
- analizën e situatës aktuale dhe rolin e udhëheqësve sindikalë;
- diskutime praktike rreth sfidave të organizimit sindikal;
- format e koordinimit dhe komunikimit të brendshëm organizativ;
- mbështetjen dhe trajnimin e anëtarëve të sindikatave;
- planifikimin e veprimeve operative dhe përcaktimin e prioriteteve;
- avokimin dhe pjesëmarrjen aktive në dialogun social dhe negociatat kolektive.

"Gjatë seminarit janë zhvilluar diskutime interaktive, ushtrime praktike dhe shkëmbime përvojash ndërmjet federatave, me synim forcimin e bashkëpunimit ndërfederativ dhe ngritjen e kapaciteteve profesionale sindikale", thuhet tutje në njoftim.

Ky aktivitet i organizuar nga BSPK është realizuar me mbështetjen e Solidarity Center, partner i rëndësisë së veçantë për BSPK-në, i cili ka kontribuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në zhvillimin e këtij procesi trajnues dhe organizativ, duke përforcuar bashkëpunimin ndërkombëtar në funksion të sindikalizmit demokratik.

BSPK ka riafirmuar përkushtimin e saj se, përmes vendimmarrjes institucionale, trajnimeve të qëndrueshme dhe dialogut të brendshëm të strukturuar, do të vazhdojë të konsolidojë veprimin sindikal dhe të mbetet zëri i organizuar, i përgjegjshëm dhe përfaqësues i punëtorëve, në shërbim të mbrojtjes dhe avancimit të të drejtave ekonomike, sociale dhe profesionale në Kosovë. /Telegrafi/