Pas zhvillimeve të fundit në veri të Kosovës, shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell ka ftuar në një takim në Bruksel, kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin Aleksandar Vuçiq.

Këtë e ka konfirmuar për Telegrafin, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, derisa ka shtuar se BE-ja po e përcjell me shqetësim situatën në veri të Kosovës.


“BE-ja ka qenë dhe mbetet në kontakt të ngushtë me Kosovën dhe Serbinë për të qetësuar tensionet, në koordinim të ngushtë me EULEX-in, KFOR-in dhe partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht me SHBA-në. Pas pranimit nga Kosova të kërkesës së Përfaqësuesit të Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Borrell dhe SHBA-së për të shtyrë masat e planifikuara në lidhje me targat dhe kartat e identitetit, me kusht që të hiqen të gjitha barrierat, BE-ja ftoi të dyja palët të takohen në Bruksel për të diskutuar rrugën përpara”, ka thënë Stano.

Screenshot 5 1

Ai ka shtuar se të gjithë të përfshirët duhet të qëndrojnë të qetë dhe çdo veprim i pakoordinuar dhe i njëanshëm që rrezikon stabilitetin dhe sigurinë në terren dhe pengon lirinë e lëvizjes së të gjithë qytetarëve duhet të ndalet menjëherë.

“Mënyra e vetme për të zgjidhur mosmarrëveshjet është përmes dialogut dhe negociatave. Të gjitha çështjet e hapura duhet të adresohen përmes dialogut të ndërmjetësuar nga BE. Fokusi duhet të kthehet te normalizimi gjithëpërfshirës i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili është thelbësor për rrugët e tyre përkatëse të integrimit evropian”, u shpreh Stano.

Zëdhënësi i BE-së më tej ka shtuar se propozimi i shefit të diplomacisë Josep Borrell ishte që të shtyheshin masat për targat dhe kartat e identitetit dhe të takoheshin ndërkohë në Bruksel për të diskutuar një rrugë përpara.

“Ky propozim u mbështet plotësisht nga SHBA”, tha Stano. /Telegrafi/