Kreu i ekipit negociator të Kosovës për dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi, ka thënë se takimi midis kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiqit, për propozimin franko-gjerman ende nuk është mbajtur, përkundër premtimit të përfaqësuesit të lartë të BE-së.
Edhe pse nuk ka zbuluar detajet e propozimit, ai ka deklaruar se plani “de jure” e mbështet qëndrimin e Serbisë se nuk duhet të ketë njohje reciproke në këtë moment.
Bislimi po ashtu ka komentuar edhe nëse fundi i marsit është afati i caktuar nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti për marrëveshjen mes Beogradit dhe Prishtinës.
Sipas tij, nëse deri atëherë Serbia nuk tregohet konstruktive në dialog, kjo do të thotë se Kosova do të mund të vazhdojë të shqiptojë gjoba për targat ilegale që ende lëvizin nëpër Kosovë.
“Sa është reale është një pyetje tjetër, por marrëveshja e nënshkruar, pra e arritur më 23 nëntor, caktoi afatin se kur duhet mbajtur mbledhja e radhës e grupit special për normalizimin në Kosovë dhe BE. Prandaj, tashmë është rënë dakord që takimi të bëhet në fund të muajit mars. Kjo është arsyeja që zoti Kurti përmend fundin e marsit si afat për nënshkrimin e marrëveshjes”.
“Nëse deri atëherë e kuptojmë se Serbia nuk ka ndërmend të jetë konstruktive gjatë dialogut, kjo do të thotë se procesi i nisur më 23 nëntor do të pezullohet dhe Kosova do të mund të vazhdojë të shqiptojë gjoba për targat ilegale që ende lëvizin nëpër Kosovë”, është shprehur Bislimi në një intervistë për Euronews në Serbi.
Bislimi ka folur edhe për marrëveshjet e arritura në Bruksel, duke thënë se lista e atyre që Serbia nuk i ka zbatuar është dyfish më e gjatë se lista e marrëveshjeve që nuk i ka zbatuar Kosova.
Tutje, është përgjigjur edhe lidhur me incidentin në Shtërpcë ku u plagosën dy serbë.
Ai shtoi se ky incident mori një publicitet të madh.
“Incidenti që ndodhi në Shtërpcë mori një publicitet të madh. Nuk është raportuar vetëm në Kosovë dhe Serbi, por edhe më gjerë, gjë që tregon dy gjëra: ndjeshmërinë e marrëdhënieve ndëretnike në Kosovë dhe pritjet për mbrojtjen e pakicave në Kosovë. Kjo tregon për standardet e larta që i janë vendosur Kosovës”. /Telegrafi/