Bislimi në darkën ministrore BE–Ballkani Perëndimor: Kosova meriton statusin e vendit kandidat

– Zëvendëskryeministri i parë në detyrë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, ka marrë pjesë në darkën joformale ministrore të organizuar midis Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Bislimi falënderoi Përfaqësuesen e Lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Kaja Kallas, si dhe Komisioneren për Zgjerim, Marta Kos, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe koordinimit në këtë fazë të zhvillimeve evropiane.
Gjatë adresimit të tij, zëvendëskryeministri theksoi kërcënimet e sigurisë dhe sulmet hibride që rrezikojnë demokracinë në rajon, duke apeluar për unitet dhe vigjilencë. Ai përgëzoi Shqipërinë dhe Malin e Zi për avancimin e tyre në rrugën drejt Bashkimit Evropian dhe vlerësoi përkushtimin e Ukrainës dhe Moldavisë për integrim.
Bislimi rikujtoi se Kosova ka mbështetur vazhdimisht Ukrainën në luftën kundër agresionit rus.
Duke folur për progresin e Kosovës, ai përmendi disa rezultate të rëndësishme të arritura gjatë viteve të fundit: uljen e papunësisë nga 23.8% në 10.9%, shtesat për fëmijë dhe nënat lehona, konvergjencën e mirë drejt të ardhurave mesatare të BE-së, harmonizimin e plotë të politikës së jashtme me BE-në, menaxhimin e kontrolluar të migrimit pas liberalizimit të vizave dhe përmirësimin e indikatorëve në luftën kundër korrupsionit dhe sundimit të ligjit.
Ai deklaroi se Kosova “meriton marrjen e statusit të vendit kandidat dhe anëtarësimin në Këshillin e Evropës”, duke nënvizuar se mbështetja qytetare për integrim mbetet jashtëzakonisht e lartë.
Bislimi paralajmëroi për rreziqet që vijnë nga aktorët malinj që synojnë destabilizimin e rajonit dhe zhvendosjen e vëmendjes nga lufta në Ukrainë. Ai akuzoi Serbinë për vazhdimin e sfidimit të sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, si nëpërmjet letrave zyrtare në BE, ashtu edhe përmes akteve të cilësuara si terroriste në terren.
Në përmbyllje të fjalës, zëvendëskryeministri theksoi se momenti aktual gjeopolitik e bën edhe më të domosdoshëm zgjerimin e BE-së dhe forcimin e sigurisë evropiane. “Dhënia e statusit të vendit kandidat për Kosovën dhe arritja e konsensusit brenda BE-së do të ishte një hap kyç dhe një mesazh i fuqishëm uniteti,” tha ai. /Telegrafi/


































