Bisedimet Kosovë-Serbi, proces i vështirë

Gjatë paraqitjes vjetore në Këshillin e Sigurimit, ajo vuri theksin në punën që po bën më ndërmjetësimin e procesit të bisedimeve që, sipas saj, tashmë po japin frytet e tyre.
“Deri tani, kjo ka çuar deri tek rezultatet konkrete. Kemi marrëveshjen për të çuar përpara zbatimin e menaxhimit të përbashkët të kufirit dhe tani të gjitha vendkalimet janë të hapura dhe funksionale. Kemi një marrëveshje për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore e fetare. Kemi një marrëveshje për zyrtarët e ndërlidhjes që do të jenë në zyrat e Bashkimit Evropian në Beograd dhe në Prishtinë”.
Ajo e cilësoi hap shumë të rëndësishëm takimin e javës së kaluar ndërmjet presidentes së Kosovës Atifete Jahjaga dhe presidentit të Serbisë Tomislav Nikolic në Bruksel, që ishte takimi i parë i atij niveli që kur Kosova shpalli pavarësinë e saj më 17 shkurt të vitit 2008.
Ashton tha se procesi do të vazhdojë javën e ardhshme kur mbahet takimi i ri ndërmjet kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë Hashim Thaçi e Ivica Dacic, transmeton “Koha”.
“Dua të shfrytëzojë këtë mundësi që të përgëzojë kryeministrin Dacic dhe kryeministrin Thaçi për qasjen ndaj këtyre diskutimeve dhe kurajën që kanë dëshmuar me këtë. Nuk është proces i lehtë për asnjërin prej tyre. Por ata kanë mbështetjen tonë dhe llogarisë në mbështetjen e këtij Këshilli”, tha ajo.
Të dy kryeministrat pritet të takohen më 19 dhe 20 shkurt në Bruksel për të diskutuar situatën në veri dhe rrugët e shpërbërjes apo transformimit të strukturave të mbështetura nga Beogradi.
Takimi i javës së ardhshme vlerësohet si hyrje në periudhën më të rëndësishme të bisedimeve që brenda disa javësh duhet të çojnë në një marrëveshje kuadër për veriun e banuar me shumicë serbe, ku nuk njihen dhe nuk pranohen institucionet e Prishtinës.
Diplomatët i kanë kërkuar Serbisë që të shpërbëjë strukturat e saj të sigurisë në veriun e Kosovës si kusht që të marrë datën për fillimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Prishtina zyrtare e cila synon integrimet evropiane, shpreson që në fund të marrë datën për fillimin e negociatave për marrëveshjen e stabilizim asocimit me Bashkimin Evropian. /Telegrafi/

















































