Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka mohuar praninë apo udhëtimin e Shefes së Shërbimit Informativ Shqiptar, Vlora Hyseni, në Beograd.
Duke iu përgjigjur akuzave të ish-Kryeministrit Berisha, ai tha se në fakt është pikërisht Berisha që po kërkon të përfitojë nga kjo situatë.
“Hedh një budalla një gur në lumë dhe 1000 të mençur nuk e nxjerrin dot. Në këtë rast budallai është dhe i ligë dhe hedh një gur sepse do të përfitojë nga kjo situatë sipas mendjes së tij të rrjedhur. Dhe në emisionin më të rëndësishëm të javës më bëhet pyetje mua. Natyrisht që nuk ka qenë, sepse kjo është gjë lehtësisht e verifikueshme, mjaftonte të ngrinit telefonin dhe të pyesnit”, u shpreh Rama, në emisionin Opinion.al.
Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha të mërkurën ka hedhur akuza të rënda ndaj drejtueses së re të Shërbimit Informativ Shqiptar (SHISH), Vlora Hyseni.
Në një postim në Facebook, Berisha tha se Hyseni ka vizituar në mënyrë sekrete Beogradin.
“Miq, mediat informojnë se Vlora Hyseni, drejtore e Shërbimit Inteligjent të Shqipërisë, nisi punën me vizitën e saj të parë sekrete në Beograd dhe ky lajm deri sot nuk është përgënjeshtruar nga SHISH”, tha Berisha. /Telegrafi/