Beqiri: Nuk ishte rastësi, Shkëndija mposhti një kundërshtar të fuqishëm!

Kampioni i Maqedonisë së Veriut, Shkëndija, ka regjistruar një fitore të madhe në Shkup, duke mposhtur kampionin bullgar, Ludogoretsin, me rezultat 2-1 në ndeshjen e parë të play-off-it për Ligën e Evropës, njofton Telegrafi.
Me një rezultat pozitiv në takimin e kthimit në Razgrad, kuqezinjtë mund të sigurojnë pjesëmarrjen historike në fazën e grupeve të garës së dytë më prestigjioze të UEFA-s, që sjell më shumë duele evropiane dhe benefite financiare.
Pas ndeshjes, trajneri Jeton Beqiri u shpreh i kënaqur me paraqitjen e ekipit, por theksoi se kjo ishte vetëm gjysma e punës së madhe që i pret drejt kualifikimit.
“Mendoj se pamë një Shkëndijë të mirë sonte. Fitore mëse e merituar. Patëm disa lëshime në mbrojtje, pasi përballë kishim një kundërshtar shumë cilësor. Ata mbeten prapë favoritë në këtë përballje, por ne duhet të japim maksimumin në çdo ndeshje. Nëse luajmë sipas planit, mund ta arrijmë fazën e grupeve të Ligës së Evropës. Përparësia ime është që kam kohë të gjatë me këtë skuadër, i njoh mirë lojtarët dhe ata më kuptojnë. Po mundohemi ta ruajmë identitetin tonë, por natyrisht ka edhe ditë të vështira, si ajo që ishte në Baku. Më e rëndësishmja është që duhet të rritemi si ekip. Pa marrë parasysh ku do të luajmë, na presin ndeshje të mëdha për të gjithë, lojtarët, stafin dhe klubin”, u shpreh Beqiri.
Takimi i kthimit mes Ludogoretsit dhe Shkëndijës do të luhet të enjten e ardhshme në Razgrad, nga ora 19:30. Fituesi pas dy ndeshjeve do të kualifikohet në fazën e grupeve të Ligës së Evropës, ndërsa i eliminuari do të vazhdojë në Ligën e Konferencës. /Telegrafi/



































