Ky projekt është pjesë e mbështetjes së gjerë të Bashkimit Evropian në përmirësimin e standardeve dhe performancës në fushën e bashkëpunimit ligjor.

“Bashkëpunimi ligjor ndërkombëtar në drejtësi penale mundëson ndjekje penale efektive dhe gjykim efektiv të krimeve kombëtare dhe ndërkombëtare, si dhe të krimeve të organizuara dhe të terrorizmit”, thuhet në kumtesë.


Një raport i fundit i Komisionit Evropian për plotësimin e kërkesave të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave ka theksuar një numër çështjesh të cilat duhet t’i adresojnë institucionet kosovare në mënyrë që të vazhdojnë tutje. Midis tjerash, Kosova duhet të sigurojë një pako gjithëpërfshirëse në fushën e bashkëpunimit gjyqësor në çështjet penale.

Përmes rritjes së kapaciteteve operative të Ministrisë së Drejtësisë, vlerësimit të kornizës ligjore dhe asistimit në përgatitjen e legjislacionit, ky projekt do ta ndihmojë Kosovën që të arrijë progresin aq shumë të nevojshëm në reformën e gjyqësorit. Ky projekt binjakëzimi do t’i ndihmojë po ashtu Ministrisë së Drejtësisë në negocimin dhe realizimin e marrëveshjeve bilaterale dhe në identifikimin e pikave kryesore në kuadër të gjyqësorit të Kosovës për zhvillimin e një ekipi institucional të përbërë prej ekspertësh lokalë në fushën e bashkëpunimit ligjor ndërkombëtar.

Projekti i binjakëzimit do të zgjasë 18 muaj dhe ka vlerën prej 700.000 euro. Projektet e binjakëzimit përfshijnë ekspertë të BE-së të cilët punojnë bashkë me homologët e tyre në një institucion qeveritar nikoqir. Aktualisht Zyra e BE-së ne Kosovë po i menaxhon 11 projekte binjakëzimi në fushën e sundimit të ligjit dhe të administrimit publik. /Telegrafi/