Bashkimi Demokratik për Integrim ka dalë me reagim pas protestave të qytetarëve, të cilët shprehën revoltën ndaj Drejtorisë së të Ardhurave Publike, e cila u kërkon të paguajnë tatim për rrogat që i kanë marrë jashtë vendit, gjegjësisht gjatë punës në vendet ku ka pasur konflikte.

Nga BDI thonë se "politikat e padrejta dhe represive tatimore të qeverisë aktuale, po godasin drejtpërdrejt qytetarët tanë, veçanërisht ata që kanë punuar jashtë vendit në kushte të rënda dhe të rrezikshme. Protestat para Drejtorisë së të Ardhurave Publike janë dëshmi e qartë e dështimit institucional dhe e një politike tatimore të verbër, që përmes tatimeve retroaktive po u vendos barrë të padrejtë financiare qytetarëve që për vite me radhë kanë siguruar ekzistencën e familjeve të tyre dhe kanë kontribuar në ekonominë e vendit".


"Është e papranueshme që qytetarë që kanë punuar në misione ndërkombëtare në Irak, Afganistan, si dhe në vendet e tjera, shpesh duke rrezikuar jetën, sot të trajtohen si objekt për mbushjen e arkës shtetërore. Edhe më skandaloze është mosnjohja e statusit të jorezidentit tatimor, pavarësisht dëshmive të qarta ligjore dhe faktit se shumica e tyre kanë qëndruar mbi 183 ditë jashtë vendit".
"Kjo qeveri, përmes DAP-it, po krijon pasiguri juridike, po injoron ligjin dhe po e shndërron tatimin në mjet ndëshkimi. Qytetarët nuk janë kundër tatimeve, por janë kundër grabitjes, padrejtësisë dhe vendimeve retroaktive që cenojnë dinjitetin dhe sigurinë e tyre ekonomike", thonë nga BDI.

BDI kërkon pezullim të menjëhershëm të vendimeve tatimore me efekt retroaktiv, njohje të plotë të dokumentacionit për statusin e jorezidentit dhe transparencë dhe qartësi institucionale.

"Qeveria duhet të ndalë politikat që rrjepin qytetarët dhe ta kuptojë se shteti nuk ndërtohet duke ndëshkuar ata që kanë sakrifikuar. BDI do të vazhdojë të jetë zëri i qytetarëve dhe të kundërshtojë çdo politikë që cenon drejtësinë sociale dhe dinjitetin njerëzor", thonë nga BDI.