Bashkimi shijoi fitoren e parë në Kumanovë, Shkupi humbi nga Pelisteri

Me ndeshjet Bashkimi – Tikveshi dhe Pellisteri – Shkupi, u kompletua java e tretë e Ligës së Parë të Maqedonisë së Veriut, njofton Telegrafi.
Skuadra e Bashkimit nga kumanoava ka marrë një tjetër fitore të madhe në elitën e futbollit të Maqedonisë së Veriut, duke triumfuar ndaj Tikveshit me rezultat 3-1, në një ndeshje të zhvilluar përpara tribunave të mbushura përplot.
Për ekipin e rikthyer në Ligën e Parë, kjo ishte ndeshja e tretë radhazi pa humbje dhe fitorja e dytë në seri, pas triumfit ndaj Rabotniçkit në Shkup.
Takimi në Kumanovë dhuroi spektakël dhe shumë raste në të dyja portat. Hero i ndeshjes ishte sulmuesi Filip Aleksovski, i cili shënoi dy gola, në minutën e 36-të dhe 78-të. Sidomos goli i parë ishte një kryevepër.
Pas një aksioni të bukur, ai me një driblim largoi dy mbrojtës dhe me një goditje të saktë në rënie e dërgoi topin në rrjetë. Ndërkohë, goli i dytë erdhi pas një aksioni të nisur nga Marko Simonovski, topi u përplas në shtyllë, u devijua nga portieri, e më pas Aleksovski ishte në vendin e duhur për të dyfishuar epërsinë.
Përveç tij, në listën e golashënuesve u regjistrua edhe Marko Simonovski me një gol të bukur, ndërsa për Tikveshin shënoi Filip Mishov. Goli i skuadrës nga Kavadari u pranua vetëm pas verifikimit me VAR. Në xhiron e ardhshme, Bashkimi pret në shtëpi Strugën, kurse Tikveshi do të luajë para tifozëve të vet kundër AP Brerës.
Në Kavadar, Shkupi megjithëse me probleme në formacion, tregoi lojë të mirë dhe pati raste për të kaluar edhe në epërsi. Por gjithçka ndryshoi pas minutës së 60-të, kur Ristiç realizoi golin e parë për Pelisterin, ndërsa pesë minuta para fundit Bullatoviç vulosi rezultatin përfundimtar 2-0. Shkupi mbetet e fundit në renditje pa pikë dhe me vetëm një gol të shënuar. /Telegrafi/



















































