Reperi, Bardhi, ishte i ftuar së fundmi në emisionin Goca dhe Gra, ku ndau momente të sinqerta nga jeta e tij personale.

Ai foli për marrëdhënien me partneren e tij, Sarën, si dhe për vajzën e tyre, Nea, duke e quajtur ardhjen e saj në jetë një bekim të vërtetë. “Luteshim çdo natë që të vinte, ishte një dhuratë nga Zoti”, tha ai me emocion.


I pyetur për rolin e Sarës në karrierën e tij artistike, Bardhi u shpreh se ajo është gjithmonë pranë tij, jo vetëm si partnere në jetë, por edhe si mbështetje kreative.

Foto: Screenshot/YouTube

“Më ndihmon me konceptet, me veshjet, me shumë gjëra”, tregoi ai, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të tyre edhe përtej jetës private.

Kur erdhi fjala te dëshirat e Sarës, reperi tregoi se është gjithmonë i gatshëm t’ia plotësojë: “Ç’të ketë qejf! I bëj edhe surpriza”.

Ai shtoi me buzëqeshje se i pëlqen më shumë të surprizojë të tjerët sesa të marrë dhurata vetë – një anë më e ndjeshme dhe më personale që publiku nuk e sheh shpesh.

Duket se Bardhi është jo vetëm një artist i suksesshëm, por edhe një partner dhe baba i përkushtuar, që e vlerëson familjen mbi gjithçka tjetër. /Telegrafi/