LAJMI I FUNDIT:

Banka Qendrore: Ekonomia e Kosovës gjatë vitit të kaluar ka rënë për 3.9 për qind, papunësia mbeti pothuajse e pandryshuar

Banka Qendrore: Ekonomia e Kosovës gjatë vitit të kaluar ka rënë për 3.9 për qind, papunësia mbeti pothuajse e pandryshuar

Ekonomia e Kosovës vlerësohet të ketë shënuar rënie prej 3.9 për qind gjatë pandemisë COVID-19, kështu thuhet në raportin e Bankës Qendrore të Kosovës për vitin 2020.

Sipas BQK-së, përcjell Telegrafi, vendi është ballafaquar me rënie ekonomike pas një periudhe mjaft të gjatë të rritjes.

“Në vitin 2020, sipas vlerësimeve tremujore të Agjencisë së Statistikave (ASK), ekonomia e Kosovës ka shënuar rënie vjetore prej 3.9 për qind”, thuhet në raport.


BQK thotë se rënia ekonomike ishte kryesisht përmes sektorit të jashtëm të ekonomisë.

“Rreziqet e rritura si pasojë e pandemisë dhe masat e ndërmarra për të frenuar përhapjen e COVID-19 konsistuan kryesisht me masa kufizuese në udhëtim. Kjo është reflektuar në rënie të aktivitetit ekonomik veçanërisht në tremujorin e dytë dhe të tretë, dinamika që u përkthyen në rënie të theksuar në eksportin e shërbimeve në kuadër të bilancit të pagesave. Konkretisht, rënia e vizitave të diasporës në Kosovë si pasojë e drejtpërdrejtë e masave kufizuese për të menaxhuar me krizën shëndetësore ka rezultuar në rënie reale të eksportit të shërbimeve, duke ndikuar në thellimin e deficitit tё eksporteve neto”, thotë BQK.

Raporti tregon se konsumi për këtë vit ka shënuar rritje.

“Konsumi është vlerësuar të ketë shënuar rritje reale prej 6.7 për qind, mbështetur nga rritja e konsumit privat dhe konsumit publik”, shpjegon raporti vjetor i BQK-së, përcjell Telegrafi.

Për sa i përket vitit 2021, parashikimet e Bankës Qendrore sugjerojnë se aktiviteti ekonomik në Kosovë do të rikuperohet drejt nivelit para pandemisë COVID-19.

Megjithatë, rreziqet ndaj aktivitetit ekonomik mbesin tё larta, ku sipas BQK-së kjo është e ndërlidhur me vaksinimin masiv të popullsisë.

Shuarja e AKP-së, reduktimi i shtesave për pensionistët dhe votimi për heqjen e homologimit – disa nga vendimet në 100 ditëshin e Qeverisë Kurti
Lexo po ashtu Shuarja e AKP-së, reduktimi i shtesave për pensionistët dhe votimi për heqjen e homologimit – disa nga vendimet në 100 ditëshin e Qeverisë Kurti

“Sa i përket vitit 2021, projeksionet e BQK-sё sugjerojnë se aktiviteti ekonomik do të rikuperohet drejt niveleve të para krizës, me një rritje reale prej rreth 4.4 pёr qind. Kjo rritje pritet të gjenerohet nga kërkesa e brendshme dhe neto eksportet. Megjithatë, rreziqet ndaj aktivitetit ekonomik mbesin tё larta, ndërlidhur me vaksinimin masiv dhe përmbylljen e pandemisë”, thotë BQK.

Për këtë vit, niveli i çmimeve ka shënuar rritje prej 0.2 për qind, kurse për vitin aktual inflacioni pritet të jetë rreth 1.6 për qind.

“Rënia e kërkesës së përgjithshme dhe dinamikat në çmimet e mallrave kryesore në tregjet ndërkombëtare u reflektuan në presione të dobëta inflacioniste edhe në Kosovë. Niveli i përgjithshëm i çmimeve në vend, i shprehur nëpërmjet Indeksit të Çmimeve të Konsumit, ka shënuar rritje tё ngadalësuar prej 0.2 për qind në vitin 2020. Për vitin 2021, norma mesatare e inflacionit pritet të jetë rreth 1.6 për qind”, vijon raporti, përcjell Telegrafi.

Statistikat e tregut të punës në Kosovë tregojnë për shkallë të lartë të normës së papunësisë, normë e cila mbeti pothuajse e pandryshuar krahasuar me vitin paraprak.

100-ditëshi i Qeverisë, Kurti: Rritja ekonomike parashikohet të jetë 7.9 për qind për vitin 2021
Lexo po ashtu 100-ditëshi i Qeverisë, Kurti: Rritja ekonomike parashikohet të jetë 7.9 për qind për vitin 2021

“Shkalla mesatare e papunësisë deri në shtator 2020 ishte 25.60 për qind, një nivel pothuajse i ngjashëm me periudhën e njëjtë tё vitit 2019 që ishte 25.57 pёr qind. Në vitin 2020, shkalla e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore në Kosovë ishte 37.3 për qind, që krahasuar me vitin 2019, tregon për një rënie të shkallës së pjesëmarrjes në fuqinë punëtore për 3.2 pikë përqindje”, thotë BQK-ja.

Gjatë vitit të kaluar, sektori i jashtëm i Kosovës u karakterizua me rritje të deficitit të llogarisë rrjedhëse në 480.7 milionë euro apo 7.1 për qind pjesëmarrje në Prodhimin e Brendshëm Bruto, me një rritje vjetore prej 20.4 për qind, kryesisht si pasojë e përgjysmimit të bilancit pozitiv të shërbimeve.

Në anën tjetër, rritja e eksportit të mallrave, si dhe rёnia e konsiderueshme e importit si pasojё e rënies sё aktivitetit ekonomik ka ndikuar që deficiti në tregtinë e mallrave të shënojë rёnie prej 9.4 për qind dhe të zbresë në rreth 2.8 miliardë euro apo 41.5 për qind e PBB-së.

Për sa i përket dërgesave nga diaspora, gjatë vitit 2020 u rritën për 15.1 për qind.

“Remitencat e pranuara në Kosovë arritën vlerën prej 980.1 milionë euro, që paraqet një rritje vjetore prej 15.1 për qind”, citon raporti, përcjell Telegrafi.

Institucioni më i lartë financiar në vend në raport tregon se Investimet e Huaja Direkte për vitin e kaluar shënuar rritje prej mbi 30 për qind.

“Investimet e Huaja Direkte (IHD) në Kosovë arritën vlerën prej 341.7 milionë euro, që paraqet një rritje të theksuar prej 34.2 për qind”, thekson BQK.

Kryeministri Albin Kurti në prezantimin e punës 100-ditëshit të Qeverisë së Kosovës tha se rritja ekonomike për vitin 2021 pritet të jetë 7.9 për qind.

Kurti ka shtuar se brenda pesë muajve, aktiviteti ekonomik është rritur për 15 për qind.

Banka Botërore: Rritja ekonomike në Kosovë për vitin 2021 pritet të jetë 3.7 për qind
Lexo po ashtu Banka Botërore: Rritja ekonomike në Kosovë për vitin 2021 pritet të jetë 3.7 për qind

“Në krahasim për periudhën e njëjtë të vitit të kaluar eksporti është rritur 66 për qind, aktiviteti ekonomik për 15 për qind dhe të hyrat buxhetore për 30 për qind. Në pesë mujorin e parë të këtij viti, Dogana e Kosovës për herë të parë ka mbledhur mbi 500 milionë euro të hyra, ndërsa ATK ka raportuar se ka inkasuar 60 milionë euro më shumë sesa në vitin e kaluar. Bazuar në këtë, Qeveria e Kosovës ka miratuar buxhet mbi 2.5 miliardë euro, sipas të cilit projektohet rritje ekonomike prej 7.9 për qind, për dallim prej 5.2 për qind që parashihej vitin e kaluar, për te cilave buxhetit do t’i shtohen 155 milionë euro më shumë nga çfarë parashikohej”, kishte thënë Kurti.

Ndërsa, sipas Bankës Botërore, Kosova pritet të ketë rritje ekonomike me 3.7 për qind në vitin 2021 dhe se rimëkëmbja do të jetë graduale, në përputhje me trendin botëror, aktiviteti real do të arrijë nivelet para-pandemike vetëm në 2022.

BB thotë se pandemia ndërpreu progresin e arritur gjatë një dekade në vendet e rajonit në rritjen e të ardhurave dhe uljen e varfërisë, ndërkohë që tregjet e punës në Ballkanin Perëndimor kanë mundur të rikuperojnë vetëm gjysmën e vendeve të punës të humbura për shkak të pandemisë – duke lënë të papunë një numër të lartë personash dhe duke i detyruar shumë të tjerë të braktisin tërësisht tregun e punës. /Telegrafi/