Telegrafi risjell më poshtë një studim të historianit Gazmend Shpuza, për familjen e fuqishme mesjetare të Balshajve. Në këtë shkrim përmenden fakte për demantojnë mitet serbe për këtë familje dhe popullatën e Kosovës.
Në gjysmën e dytë të shekullit XIV, Shqipëria mesjetare njohu, sipas përfundimeve në të cilat ka arritur historiografia shqiptare, pikën më të lartë të zhvillimit të vet politik, shoqëror e kulturor që ajo mundi të arrinte në prag të invazionit osman. Këtë e provon dhe krijimi dhe përforcimi i principatave shqiptare. Është koha kur Ballkani, ashtu sikurse dhe Evropa, përjetonte, siç shprehej profesor Aleks Buda, bashkë me shenjat e para të krizës së sistemit feudal edhe agimin e kohëve moderne.
Në këtë periudhë principatat feudale shqiptare, midis tyre edhe Principata e Shkodrës, nën zotërimin e Balshajve, njohin momentet kulmore të zhvillimit të vet. Këtyre momenteve të rëndësishme të historisë mesjetare shqiptare u përket, gjithashtu, edhe përfshirja e Kosovës, para rreth 620 vjetëve, siç ka vënë në pah dhe dr. Pranvera Bogdani, në principatën feudale shqiptare të Balshajve, për afro një dekadë e gjysmë. Autorja, duke u përqendruar në vërtetimin e shqiptarësisë së Balshajve, në funksion të përforcimit të karakterit etnik të Kosovës shqiptare, sikur e ka lënë pas dore, sadopak, domethënien e kësaj ngjarjeje. Kjo ka arsyen e vet.
Propaganda e dendur serbe ka ngritur një mit të tërë për të përligjë synimet shoviniste mbi trevat shqiptare dhe, sidomos, për përligjjen e aneksimit të tyre. Në këtë kuadër, ata i shtonin mbiemrit të sundimtarëve të Shkodrës së mesit të shekullit XIV, sikurse dhe shumë e shumë personaliteteve josllave të së kaluarës, prapashtesën karakteristike sllave “iq”. Duke i quajtur sundimtarët e Shkodrës “Balshiq”, një literaturë e tërë është përpjekur të përvetësojë historinë e tyre të mirëfilltë shqiptare. Për më tepër, në këtë rrugë, ajo është përpjekur të përligjë pretendimet aneksioniste sllave mbi zotërimet ku shtrihej Principata e Shkodrës dhe, madje, edhe mbi vetë qendrën e saj. Për më tepër, edhe vendosja e sundimit serb mbi trevat shqiptare në Kosovë dhe më gjerë, nuk përcaktonte karakterin etnik të tyre siç pretendojnë me të madhe mjaft autorë serbë.
Lidhur me këtë pretendim, mediavisti i mirënjohur francez, Alen Dyselje, kujton dhe konkludon njëherësh: “Vendosja e një qendre të pushtetit politik e ekonomik në një territor të caktuar, kujton, nuk garanton aspak, veçanërisht në mesjetë, karakterin etnikisht sundues të atyre që kanë pushtetin politik”! Kështu, despotati i vogël ‘serb’ i Seresit në Greqinë Veriore, mundi të sundonte nga 1355 deri më 1371 një popullsi, pjesa më e madhe e së cilës ishte greke. Këtu ne mund të kujtonim, gjithashtu, edhe despotin serb të Janinës, Thoma Preljuboviqin, i cili dhe vetëlavdërohej si ‘shqiptarovrasës’ (alvanitokton). Përballë gjithë kësaj propagande, historiografisë sonë i është dashur një punë e madhe për të nxjerrë në dritë të vërtetën historike. Pa e realizuar këtë detyrë, as që mund të bëhej fjalë që të trajtohej në shkallën që u takon, rëndësia e ngjarjeve të tilla, të viheshin në pah përmasat dhe rëndësia e tyre.
Çlirimi i një pjese të Kosovës, së bashku me Prizrenin nga Balshajt, përbën një moment jo vetëm shprehës, por dhe tepër të rëndësishëm për periudhën në rrafsh kombëtar. Ajo ishte pjesë e atij procesi të bashkimit politik të trojeve shqiptare, i cili do të ngrihet në një shkallë më të lartë me epokën e Skënderbeut.
Dinastia feudale e Balshajve, për 60 vjet (1360-1421), luajti një rol të rëndësishëm në jetën politike dhe shtetërore shqiptare, sidomos në pjesën veriore të trevave shqiptare. Një nga bujarët e rrethinave të Shkodrës nga fshati Balëz, Balsha, i mbështetur nga të bijtë e tij, Strazimiri, Gjergji i Parë dhe Balsha i Dytë, përforcoi pushtetin e tij dhe ngriti principatën e vet me qendër Shkodrën. Ata e shtrinë këtë pushtet dhe në pjesën bregdetare të Tivarit, Budues dhe të Zetës dhe më pas dhe Drishtin. Këtyre qendrave të rëndësishme tregtare për kohën sundimtarët e Shkodrës ua njohën autonominë. Këto qytete përbënin bërthamën territoriale të principatës së Shkodrës, gjatë gjithë kohës së ekzistencës së saj.
Zgjerimi dhe përforcimi i Principatës së Shkodrës u sendërtua në kushtet e copëzimit feudal, që karakterizonte mbarë epokën, në luftë me Venedikun dhe Raguzën nga njëra anë dhe, nga ana tjetër, me feudalët serbë dhe boshnjakë pa përjashtuar dhe rivalitetet dhe aleancat dhe me feudalët shqiptarë, midis tyre, edhe Karl Topinë.
Përkatësinë etnike shqiptare të themeluesve të kësaj principate autorë të hershëm sllavë nuk e kanë vënë fare në dyshim. Që një shekull më parë, I. Ruvarac ka konkluduar që Balshajt në asnjë mënyrë nuk ishin serbë, por shqiptarë, pavarësisht se në prejardhjen e tyre të largët ata mund të ishin, sipas tij, shqiptarë apo vllahë.
Pas vdekjes së plakut Balshë, më 1362, sundimtar u bë djali i madh Strazimiri (1362-1372). Gjatë sundimit të tij, Principata e Shkodrës mundi të shkëputet nga varësia e mbretit serb Urosh. Strazimiri i shtriu zotërimet e veta në jug, deri në brigjet e lumit Mat.
Qirkoviqi i vuri një theks të veçantë faktit “më të rëndësishëm, se gjatë gjithë brezave Balshajt u shtrinë në territore shqiptare”. Ky përgjithësim i këtij autori serb vlen jo vetëm për qendrën e principatës së Balshajve, Shkodrën me rrethinë, por edhe për trevat e tjera të Zetës e të Kosovës që hynë nën sundimin e tyre.
Më 1369 Balshajt u konvertuan në katolikë, duke braktisur, kështu kishën serbe. Me këtë akt ata kërkonin të siguronin mbështetjen e Papës. Nga ana tjetër, me këtë akt, Principata e Shkodrës shprehte prirjet properëndimore të sundimtarëve të saj. Ky orientim përputhej, nga njëra anë, me kahun e zhvillimit politik shoqëror të Evropës që po ecte në rrugën e Rilindjes. Nga ana tjetër, i shërbente fuqishëm diferencimit të kombësisë shqiptare nga shteti dhe kisha serbe, të cilat kishin afro dy shekuj që përpiqeshin të përthithnin fetarisht, kulturalisht dhe, për rrjedhim, edhe etnikisht, nënshtetasit e tyre shqiptarë të shumtë.
Vendin e Strazimirit, i cili vdiq më 1372, e zuri i vëllai i tij, Gjergji i Parë Balsha (1372-1379). Gjergj I Balshën dokumentet raguzane, të vëna në qarkullim nga autorë sllavë, si I. Tadiq e paraqesin atë si një njeri me “zakonet e tij shqiptare”. Ky arriti t’i shtrijë kufijtë e Principatës së Shkodrës drejt Lindjes, deri në Prizren e në Pejë, dhe me ndihmën e kunatit të vet drejt veriut deri në Bosnjë.
Kur Balshajt hynë në Kosovë, sipas historianit kroat, Gelçiq, u pritën si çlirimtarë, çka u fiksua dhe në këngën popullore. Kjo flet për përkatësinë shqiptare të shumicës së popullsisë së Kosovës. Po të ishte fjala për mbizotërim të elementit serb, vështirë që Balshajt në konflikt me serbët të konsideroheshin “çlirimtarë”. Nga ana tjetër, monedhat e Novobërdës me mbishkrime latine të kësaj kohe, të përshkruara nga S. Dimitrijeviqi, provojnë jo vetëm pushtetin e Balshajve në Kosovë, asokohe, por edhe orientimin perëndimor dhe jo sllavolindor të këtij pushteti.
Që pushteti i sundimtarëve të Shkodrës u shtri në treva shqiptare, e provojnë, përveç burimeve serbe edhe ato venedikase, raguzane e tjerë. Në mbështetje të kësaj të vërtete, vijnë edhe të dhënat e defterëve kadastrorë osmanë të shekujve XV-XVI. Ata dëshmojnë qartë se popullsia e Rrafshit të Dukagjinit e të Kosovës, në shumicën dërmuese ishte popullsi shqiptare e besimit katolik dhe ortodoks, kurse elementi etnik serb përbënte aty një pakicë. Ato përfaqësonin feudalë, njerëz të aparatit administrativ-kishtar, tregtarë e të tjerë, të ardhur gjatë kohës së sundimit serb, veçanërisht në periudhën e Stefan Dushanit kur u zhvilluan dyndje të popullsisë sllave nga veriu në jug, dukuri kjo e pranuar, përgjithësisht, nga studiuesit jugosllavë.
Më i rëndësishëm dhe që ia vlen të nënvizohet është fakti se shumica e banorëve të regjistruar për këto krahina, e veçanërisht për Rrafshin e Dukagjinit, mbanin në përgjithësi, gjatë shekullit XV, emra shqip dhe më vonë, aty nga gjysma e dytë e shekulli XVI, kur një pjesë e tyre u detyruan të përqafojnë fenë islame, emra islam. Nuk ka as më të voglin dyshim se gjithë kjo ishte rrjedhim i kushteve historike të njohura të sundimit shumëshekullor të shtetit serb, në të cilat pat qenë e detyruar të rronte e nënshtruar politikisht, shoqërisht, fetarisht dhe kulturalisht, popullsia shqiptare e këtyre trevave. Megjithatë, ajo qe ishte në gjendje të ruante ende të pacenuar gjuhën, doket e zakonet e veta. Këtë e dëshmon antroponimia shqipe, e cila nuk mund të mbahej veçse nga popullsia shqiptare dhe që më vonë u zëvendësua pjesërisht me antroponimi islamike.
Edhe në rastet kur emri shqiptar shoqërohet në defterët osmanë me një mbiemër sllav ose anasjelltas, studiuesi i paharruar, profesori Selami Pulaha, i cili është marrë me studimin e tyre, konkludoi se kemi të bëjmë me popullsi shqiptare. Duke pasur parasysh faktin që shqiptarët autoktonë të këtyre trevave, nën presionin politiko-fetar të shtetit dhe të kishës serbe kanë qenë të detyruar të merrnin emra sllavë, me t’u çliruar nga ky presion u kthyen menjëherë në emrat shqiptarë të gjyshërve dhe të stërgjyshërve të tyre, sepse tek ata nuk ishte shuar aspak ndjenja e kombësisë.
Prania e popullsisë shqiptare në Kosovë vërtetohet, gjithashtu, edhe nga ekzistenca, krahas klerikëve katolikë edhe e klerikëve ortodoksë, që mbanin emra shqip. Po këtë e dëshmon edhe fakti se në dokumente, popullsia ortodokse e mjaft fshatrave dhe e mëhallëve të disa qyteteve, si të Kërçovës dhe të Janjevës, cilësohet si shqiptare-arbanase. Në shumë fshatra, si për shembull disa fshatra në afërsi të Prizrenit, banorët ortodoksë mbanin në shumicë emra sllavë, ndonëse emrat e fshatrave ishin shqip dhe dokumentacioni serb vetë i cilëson ata shprehimisht arbanas-shqiptarë.
Nuk është thjesht përkatësia etnike e përbashkët që i shtyn banorët e Kosovës t’i presin forcat ushtarake të Principatës së Shkodrës si çlirimtare. Kësaj i duhet shtuar edhe politika e egër e shtypjes shoqërore, fetare dhe kulturore të ushtruar nga perandorët dhe kisha serbe ndaj shqiptarëve. Lidhur me këtë, të citojmë edhe një herë se çfarë i ka raportuar para më se një gjysmë shekulli nga koha kur Balshajt çlirojnë Kosovën, Gulielm Adami mbretit të Francës Filip Volua: “Meqenëse këta popuj latinë, ashtu edhe shqiptarët, janë të shtypur nga zgjedha e padurueshme dhe nga sundimi shumë i rëndë i prijësit të sllavëve që është i urryer dhe i neveritshëm për ta, meqenëse populli i tyre është i ngarkuar me taksa, kleri i tyre poshtërohet dhe përbuzet, peshkopët dhe priftërinjtë e tyre shumë shpesh lidhen me zinxhirë, fisnikët e tyre shpronësohen…
Që të gjithë bashkarisht dhe në mënyrë individuale, mendonin se do të shenjtëronin duart e tyre në qoftë se i lyenin me gjakun e sllavëve të lartëpërmendur”.
Pra, Balshajt shqiptarë e çliruan Kosovën shqiptare nga psuhtimi i egër i shtetit teokratik serb.
Perandori hungarez Sigismundi, pas takimit me Gjergjin e Parë Balshaj, më 1369, në Ulqin, i dha atij titullin “Princi i Shqipërisë”.
Edhe pse vetë u konvertuan në katolikë, Balshajt u treguan tolerantë ndaj nënshtetasve të vetë ortodoksë. Përballë intolerancës së tejskajshme të sundimtarëve serbë, kemi tolerancën e sundimtarëve të Shkodrës, në zotërimet e tyre, përfshirë dhe Kosovën. Më 1375, Gjergji I Balsha dhe më 1385 Gjergji II Balsha, kryesojnë kuvende kishtare ortodokse të ritit sllav. Pushtetin e tyre politik ata nuk e shfrytëzuan, ashtu siç vepruan sundimtarët serbë ndaj herezisë katolike, për të zhdukur skizmën pravosllave serbe. Një nga arsyet e këtij qëndrimi tolerant dhe tejet të emancipuar për atë kohë dhe, madje, edhe për sot, duhet kërkuar në faktin se midis besimtarëve ortodoksë, pa dyshim, kishte shumë shqiptarë. Pra, toleranca e tyre e kishte bazën në bashkësinë etnike të shqiptarëve, pavarësisht nga besimi në konfesionin.
Nën sundimin e pasardhësit të tij, Balshës së Dytë (1372-1385), Principata e Shkodrës arriti kulmin e vet, përfshirë rreth vetes një pjesë të madhe të viseve shqiptare. Porse, procesi i unifikimit shtetëror të kombësisë shqiptare pa dallime fetare, u pengua nga venedikasit, serbët, raguzianët dhe përfundimisht nga osmanët. Skënderbeu pati mirë parasysh përvojën e grumbulluar deri atëherë gjatë përpjekjeve për bashkimin shtetëror të trojeve shqiptare në gjysmën e dytë të shekullit XIV dhe në fillim të shekullit XV. Ai, si burrështetas me përfytyrime të qarta dhe largpamëse rreth të ardhmes politike të vendit të vet, ishte plotësisht i vetëdijshëm për hapat që po hidhte në këtë drejtim. Që në fillim të luftës së udhëhequr prej tij, ai deklaronte se donte t’i realizonte planet politike të Balshajve dhe të shpallte se vepronte si trashëgimtar i tyre në trojet shqiptare.
Pohimet e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut na ndihmojnë për të pasur një përfytyrim edhe më të qartë të përmasave dhe të rëndësisë së të gjithë veprimtarisë së familjes princore të Balshajve, me qendër në Shkodër, përsa u takon përpjekjeve të tyre pararendëse për bashkimin e trevave shqiptare dhe çlirimin e Kosovës nga zgjedha serbe edhe pse për një kohë të shkurtër. Nuk ka dyshim se kjo ishte një ngjarje me ndikime të ndjeshme në historinë mesjetare të Shqipërisë në periudhën e ardhshme. /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëKush e hartoi alfabetin e gjuhës shqipe?
Historia e shqiponjës dykrenëshe, flamurit kuqezi dhe himnit shqiptar
ASHIK QERIBI
Fjalë të urta popullore: Edhe diell të bëhesh, të gjithë nuk i ngroh dot!
Konfiteori i artistit
Fjalë të urta angleze: Miku në pushtet është mik i humbur
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
Shfaqen pamjet e para të sulmeve me raketa britanike në Rusi
Shpërthen TikTok-u, Sara Kolami ia konfirmon Drilonit pëlqimin për të
Pyetet për rezervat shtetërore, ministrja Hajdari i thotë gazetarit "Mbylle këtë temë", Vishaj: "Kur e mbylli, vendosi unë"
"Vetëm me Kosovën jo" - kapiteni i Rumanisë nuk do më përballje me Dardanët
Franco Foda në skaner për Ligën e Kombeve: Çfarë ndryshoi, sa lojtarë luajtën, kush debutoi dhe ku gaboi te Kosova
Hoxha për debatin Peci - Pacolli: Ministrat paguhen për të dhënë llogari, përmendja e hetimit për vrasje, e papranueshme