Kandidatja për deputete nga LDK, Hykmete Bajrami ka kritikuar sërish Qeverinë Kurti.
Sipas Bajramit, qeveria nuk po përmend disa fakte për tregtinë e jashtme, transmeton Telegrafi.
“Tregtia e jashtme e Kosovës – faktet që Qeveria nuk i përmend: ❌ deficiti tregtar 2001-2021: 37.74 miliardë Euro, ❌ deficiti tregtar 2021-2024: 18.947 miliardë Euro. Kujdes kur flisni për eksport dhe zhvillim ekonomik, sepse të dhënat zyrtare ju përgënjeshtrojnë keq”, ka shkruar ajo në Facebook.
Tutje, ajo ka shkruar se nuk mund të flitet për suksese në eksport duke heshtur importet.
“Nuk mund të flasësh për “suksese në eksport” duke heshtur për importet. Nëse e bën këtë, ose nuk e kupton ekonominë, ose po tenton të manipulosh qytetarët. Kjo nuk do të kalojë pa përgjigje me fakte”.
Ajo ka deklaruar se “sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, vendi ynë vazhdon të varet nga importet dhe gjendja është alarmante: Vetëm në një mandat të kësaj qeverie deficiti tregtar ka arritur nivelin e 10 viteve të mëparshme, sepse:
🔹 Ekonomia nuk zhvillohet pa prodhim.
🔹 Ekonomia nuk zhvillohet pa reforma.
🔹 Ekonomia nuk zhvillohet kur buxheti i shtetit shpenzohet për të blerë vota”, thotë mes tjerash ajo.
Bajrami ka pohuar se “Deficiti tregtar ndodh kur një shtet importon më shumë mallra sesa eksporton. Me fjalë të tjera deficit tregtar tregon sa para të qytetarëve po përfundojnë jashtë vendit për shkak të varësisë nga importi”./Telegrafi/