Agim Bahtiri, kandidati i cili kishte përmendur “Mos lësho pe!” gjatë një fjalimi, e që Lëvizja Vetëvendosje, më pas e kishte vendosur si slogan, ka shënuar një rezultat të lartë zgjedhor, duke lënë prapa me vota disa nga figurat më emblematike të këtij subjekti politik.

Sipas rezultateve preliminare të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, pas numërimit të rreth 98 për qind të votave, ish-kryetari i Mitrovicës ka siguruar 26.153 vota.


Me këtë rezultat, Bahtiri ka dalë para Dimal Bashës, i cili udhëhoqi Legjislaturën e nëntë të Kuvendit të Kosovës dhe që ka marrë 25.440 vota.

Nën Bahtirin për nga numri i votave janë radhitur edhe katër ministra të qeverisë “Kurti 2”.

Artane Rizvanolli ka marrë 26.072 vota, vetëm 81 më pak se Bahtiri, ndërsa Hysen Durmishi ka siguruar 24.590 vota.

Pas tyre vijnë Arbërie Nagavci me 23.777 vota dhe Rozeta Hajdari me 19.701 vota.

Rezultatet përfundimtare pritet të konfirmohen nga KQZ-ja pas përmbylljes së procesit të numërimit të votave dhe ankesave eventuale.