Përfaqësuesi i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Visar Azemi, foli para mediave para objektit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), ku ka dorëzuar një numër të madh dëshmish që, sipas tij, tregojnë për parregullsi serioze në matjen e energjisë elektrike.

Azemi bëri të ditur se gjatë ditëve të fundit kanë mbledhur gjithsej 884 dëshmi konkrete, përveç qindra të tjera që janë dërguar nga qytetarët e Republikës së Kosovës.


Ai theksoi se këto materiale janë dorëzuar në ZRRE me qëllim që të iniciohet një hetim i menjëhershëm dhe i plotë.

“Sot kemi ardhë në zyrat e ZRRE-së për t’i deponuar dëshmitë që i kemi mbledhë. Janë 884 dëshmi tonat dhe qindra të tjera nga qytetarët. Po kërkojmë hetim dhe zbardhje të këtij rasti, sepse verifikimi i këtyre njehsorëve që dyshohet se kanë matur gabimisht duhet të bëhet sa më shpejt", deklaroi Azemi.

Ai theksoi se ZRRE është institucioni kryesor përgjegjës për vendimmarrje në sektorin e energjisë dhe se nga ky institucion pritet reagim i menjëhershëm për të sqaruar përmasat e rastit, të cilin e cilësoi si potencialisht skandal të madh.

Sipas Azemit, qytetarët jo vetëm që presin përgjigje, por edhe kompensim për dëmet e shkaktuara. Ai paraqiti disa nga dëshmitë e mbledhura, duke përmendur raste kur koha e shfaqur në njehsor nuk përputhet me kohën reale, çka sipas tij ngre dyshime serioze për saktësinë e matjes.


“Kemi dëshmi ku në njehsor shënohet ora 04:50, ndërsa në kohë reale është 09:58. Këto janë prova që tregojnë se qytetarët mund të jenë dëmtuar financiarisht. Humbjet janë të mëdha, flasim për miliona euro”, u shpreh ai.

Azemi gjithashtu pretendoi se, nëse këto gjetje rezultojnë të sakta, ekziston mundësia që të ketë pasur ndërhyrje të organizuara në terren për largimin e njehsorëve problematikë.

Ai përmendi edhe reagimet e fundit nga KEDS, ku sipas tij pranohet mundësia e devijimeve, por ato cilësohen si të vogla dhe teknike. /Telegrafi/