Site icon Telegrafi

AVONET: Gjimnazi Kuvendi i Arbërit, në Ferizaj kundërligjshëm e shpall fitues operatorin ekonomik pa licencë adekuate

AVONET në kuadër të zhvillimit dhe ushtrimit të veprimtarisë së saj kohëve të fundit i ka kushtuar një rëndësi të veçantë fushës së arsimit në Kosovë.

Sipas një njoftimi për media, bëhet e ditur se në drejtim të kësaj AVONET ka hulumtuar disa procese të zhvilluara dhe të udhëhequra nga shkollat, që kryesisht lidhen me organizimin e aktiviteteve jashtëshkollore nga ana e shkollave. Ne shprehim shqetësimin e tonë të thellë në lidhje me gjetjet e fundit nga hulumtimi ynë i kryer në Gjimnazin e Shkencave Natyrore “Kuvendi i Arbërit” në Ferizaj.

“Në kuadër të këtij hulumtimi, kemi analizuar tri aktivitete jashtëshkollore të organizuara nga ky gjimnaz, bazuar në ftesat për ofertë nr. prot. 86/24, 139/24 dhe 171/24. Gjetjet tona tregojnë se dy nga këto aktivitete janë zhvilluar në përputhje me dispozitat ligjore të përcaktuara në Udhëzimin Administrativ (MASHT) nr. 02/2016 për Aktivitetet Jashtëshkollore. Megjithatë, kemi identifikuar shkelje të rënda në aktivitetin e zhvilluar sipas Ftesës për Ofertë nr. prot. 171/24, i cili aktivitet ka të bëj me organizimin e ekskursionit për nxënësit e kësaj shkolle, në relacionin Ferizaj-Prevallë-Prizren-Ferizaj”, thuhet në njoftim.

Tutje në njoftim bëhet e ditur se në analizën e dokumentacionit të këtij aktiviteti, kemi konstatuar dhe vërtetuar se operatori ekonomik i shpallur fitues, nuk posedon licencën e nevojshme për organizimin e transportit me udhëtarë, një kriter ky thelbësor sipas ftesës për ofertë dhe Udhëzimit Administrativ përkatës.

“Pavarësisht kësaj mungese të licencës, komisioni vlerësues i shkollës ka lejuar dhe shpërblyer këtë operator me kontratë, çka përbën një shkelje të rëndë ligjore.

Për të vërtetuar këto gjetje, kemi kërkuar konfirmim nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), e cila na ka informuar se operatori  i shpallur fitues nuk është i licencuar për transportin e udhëtarëve. Kjo ka rezultuar në një pagesë të padrejtë prej 2750.00 EUR për një shërbim të kryer në kundërshtim me ligjin, e gjitha kjo në barrë të xhepit të nxënësve të kësaj shkolle”, thuhet ndër të tjera në njoftimin për media.

Duke marrë parasysh seriozitetin e kësaj çështjeje, AVONET ka përgatitur kërkesën për inicimin e hetimeve penale ndaj personave përgjegjës për këtë shkelje. Ne i bëjmë thirrje Drejtorisë Komunale të Arsimit në Ferizaj që të ndërmarrë të gjitha hapat disiplinorë të nevojshëm ndaj individëve të përfshirë në këtë proces të paligjshëm.

AVONET mbetet e përkushtuar për të siguruar transparencë dhe përgjegjshmëri në sektorin e arsimit dhe do të vazhdojë të monitorojë nga afër zhvillimet në këtë rast dhe të tjerë të ngjashëm. /Telegrafi/

Exit mobile version