Avokatja e të akuzuarit Maksimoviq: Klienti im ka qenë duke bërë grill në ditën e sulmit në Banjskë

Dushan Maksimoviq, Vladimir Toliq dhe Blagoje Spasojeviq, sot më 17.04.2025 janë ulur në bankën e të akuzuarve lidhur me rastin e sulmit terrorist në Banjskë. Në Gjykatën e Prishtinës ka nisur pjesa kryesore e gjykimit për rastin e sulmit terrorist në Banjskë, nga i cili mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku. Sot gjykimi sot ka vazhduar me prezantimin e fjalëve hyrëse të palëve.
Pas prezantimit të fjalëve hyrëse nga prokurori Naim Abazi, dhe përfaqësuesit të familjes së zyrtarit policor të vrarë, Afrim Bunjakut avokatit Arianit Koci, seanca ka vazhduar me fjalët hyrëse të mbrojtësve të të akuzuarve dhe vet të akuzuarve.
Mbrojtësja e të akuzuarit Dushan Maksimoviq, avokatja Jovana Filipoviq gjatë fjalëve hyrëse tha se do të dëshmohet se Dushani kishte qenë duke bërë grill me shokët e tij në ditën kur ka ndodhur rasti.
“Domethënë janë paraqitur 5 fotografi në tërësi, e para ku shihet Dushani me kapelë në fytyrë, ajo nuk është fotografi që ka dalë nga shtatori i 2023, ajo është fotografi nga Zveçani, kjo fotografi disa herë është paraqitur në publik, por Dushani asgjë të keqe nuk ka bërë atje prandaj edhe ajo vepër penale nuk i vihet në barrë”, tha avokatja Jovana Filipoviq gjatë fjalës së saj.
Sipas avokates së tij s’ka asgjë tjetër që Dushani ka bërë gabim, prandaj të gjitha provat dhe të gjitha faktet sillen në dëmin e tij.
“Fotografia e dytë është Dushani me foto dhe flamur, s’ka asgjë kontestuese në këtë flamur, po të themi flamuri është i ndaluar, por ajo nuk paraqet ndonjë vepër penale, dhe kjo është prapë një fakt që sillet në këtë procedurë penale. Fotografia e tretë që Dushani është në një formë të caktuar, ajo fotografi është incizu 9 muaj para ditës kritike, shihet se është incizuar në shtëpi. Dushani e ka kallxu që nga kjo fotografi dhe uniformë por ajo që është me rëndësi, kjo uniformë nuk është uniforma që pjesëmarrësit e kanë bartur në ngjarjen e Banjskës, këtë gjë mundemi ta vërtetojmë në aktakuzë me një shikim të thjeshtë”, tha avokatja Filipoviq.
“Nëse bëjmë një shikim në faqe 133 të aktakuzës, në gjuhën shqipe, një fotografi e cila gjendet në faqen 92, 94, 95 shihet qartë që këto dy uniforma nuk kanë kurrfarë ngjashmërie. Në fotografinë e katër shihet Dushani, kjo është një pushkë ajrore, kushdo qoftë që merr vesh nga armët mund ta sheh këtë gjë, mirëpo që të jemi të sigurtë që gjykata dhe trupi gjykues do ta vlerësojë”, shtoi tutje avokatja.
Po ashtu mbrojtësja e të akuzuarit Dushan Maksimoviq, avokatja Jovana Filipoviq tha se në të gjitha ato shkresa që edhe sot janë prezantuar para gjykatës në duart e tij nuk gjendet kurrfarë gjurmë e barutit.
“Në duart e tij nuk gjendet kurrfarë gjurmë e barutit, në të gjitha ato shkresa që edhe sot janë prezantuar para gjykatës, dhe ato që janë në aktakuzë e që se kemi pasur rastin deri sot t`i shohim”– tha Filipoviq.
I akuzuari Dushan Maksimoviq tha se nuk ka çfarë të shtojë më tepër dhe e mbështeti fjalën e avokates së tij.
Tre të akuzuarit në këtë rast Dushan Maksimoviq, Vladimir Toliq dhe Blagoje Spasojeviq janë sjellë para gjykatës, të prangosur.
Në nisje të gjykimit, ndryshe nga herët tjera që kishte përkthyes fizikisht, tashmë mediat, të akuzuarit, avokatët dhe pjesëmarrësit tjerë në gjykatore, janë pajisur me mjete të përkthimit, me qëllim mbarëvajtjen e procesit.
Tre të akuzuarit në rastin e sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit më 2023, Dushan Maksimoviq, Blagoje Spasojeviq dhe Vladimir Toliq, edhe në shqyrtimin kryesor nuk e kanë pranuar fajësinë – lidhur me veprat penale që iu vihen në barrë.
Që të tre u deklaruan të pafajshëm në Gjykatë.
Sipas Prokurorisë 45 të akuzuarit ishin të përfshirë në sulmin terrorist në Banjskë më 24.09.2023.
Ky rast është duke u trajtuar në Departamentin Special të Gjykatës së Prishtinës në përbërje të trupit gjykues Arben Hoti (kryetar i trupit gjykues) dhe Rrahman Beqiri dhe Ngadhnjim Arrni anëtarë. /Kallxo.com/

















































