Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se janë arrestuar avokatja Shemsije Sheholli dhe përmbaruesi privat Isak Islami, të cilët dyshohen se kanë marrë 25 mijë euro ryshfet në emër të Gjykatës.

Të dy të dyshuarit janë ndaluar nga Prokuroria për 48 orë.


“Pas një pune disa mujore të Prokurorit të Shtetit dhe Policisë së Kosovës lidhur me hetimin e rastit të publikuar në media, ku dyshohet se kërkohen shuma prej 25 mijë euro në emër të anëtarëve të trupit të Gjykatës së Apelit lidhur me lëndën e të dëmtuarit B.S., sot me datë 02.12.2024, si rezultat i punës hetimore janë ndaluar Sh.Sh. dhe I.I.”

Sipas Prokurorisë, Sheholli dhe Islami dyshohen për veprat penale të “Ushtrimit të ndikimit” sipas nenit 424, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), dhe “Keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar” sipas nenit 414, paragrafi 1 të KPRK-së.

Hetimi është udhëhequr nga Shefi i Departamentit për Krime të Rënda në Prokurorinë e Prishtinës, Bashkim Zeqaj.

Ky rast vjen pasi disa ditë më parë, Komisioni Disiplinor për përmbaruesit privatë në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë kishte marrë vendim për të ndaluar për 7 muaj ushtrimin e profesionit për përmbaruesin Isak Islami, për shkak të shkeljeve të gjetura në një urdhër përmbarimor që rezultoi në tërheqjen e 25 mijë eurove nga llogaria bankare e Besim Sopit.

Muaj më parë, në media ishte raportuar se avokatja Sheholli dyshohej se i kishte kërkuar klientit të saj 25 mijë euro ryshfet në emër të tre gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit.

Ky pretendim u përforcua nga publikimi i një audio-incizimi të një takimi të mbajtur më 15 gusht 2023 mes Besim Sopit dhe avokates Sheholli, afërsisht një muaj pas vendimit të Gjykatës së Apelit për lëndën në fjalë, të dhënë më 25 korrik 2024.

Hetimet vazhdojnë ndërsa autoritetet janë në proces të zbardhjes së plotë të ngjarjes.