Besnik Berisha i cili është avokat i Rilind Berishës, ka sqaruar për opinionin lidhur me ftesën e Gjykatës Speciale për klientin e tij.
Përmes një postimi në Facebook ka thënë se, Rilind Berisha nuk është ftuar e as marrë në pyetje nga Prokurori i Specializuar për asnjë shkelje ligjore, e as për rrjedhën e informacionit në mënyrë të jashtëligjshme, siç është raportuar në media.
“Intervistimi i Berishës nga Prokurori i Specializuar është bërë në cilësinë e dëshmitarit dhe ekskluzivisht lidhet me fushëveprimtarinë e zyrës që koordinon procesin për mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të personave që mund të jenë të akuzuar potencial nga Dhomat Specializuara”, ka thënë avokati.
Ai është shprehur se, ”Rilind Berisha i ka përmbushur detyrimin e tij qytetar për t’iu përgjigjur ftesës së Prokurorit të Specializuar dhe njëjtë do të veprojë edhe në të ardhmen, nëse veç paraqitet ndonjë kërkesë e tillë”, ka shkruar ai.
Kujtojmë se ditë më parë vetë Berisha përmes një postimi në Facebook kishte njoftuar se ishte ftuar nga Gjykata Speciale për intervistim.