LAJMI I FUNDIT:

Avokat i Popullit, UNICEF dhe KOMF kërkojnë që të ndihmohen të miturit që janë në qendra korrektuese

Avokat i Popullit, UNICEF dhe KOMF kërkojnë që të ndihmohen të miturit që janë në qendra korrektuese

Avokati i Popullit, UNICEF dhe KOMF, përmes një deklarate të përbashkët u kanë bërë thirrje autoriteteve Gjyqësore dhe Ministrisë së Drejtësisë që të ri-konsiderojnë mundësitë ligjore për lirimin e parakohshëm të të miturve, apo  zëvendësimin e masës edukuese me atë alternative, lirimin me kusht apo edhe faljen e dënimit.

Në deklaratë thuhet se të miturit duhet të ndihmohen në këtë kohë të pandemisë, transmeton Telegrafi.

“Duke marrë për bazë këto mundësi që janë në kuadër të ligjeve në fuqi, dhe duke qenë të vetëdijshëm që iniciativat për të bërë ndryshime ligjore janë të vështira dhe të tejzgjatura në këtë kohë, si dhe faktin se çdo vonesë në këtë aspekt mund të ndikojë në shëndetin dhe sigurinë e përgjithshme të të miturve që janë në vuajtje të paraburgimit apo ndonjërës prej masave edukative institucionale apo burgimit”, thuhet në deklaratë.


Deklarata e plotë:

T’u japim një shans të miturve

Të gjithë të miturit, përfshirë edhe të miturit të cilëve u është kufizuar liria, gëzojnë të drejtat e tyre themelore. Konventa për të Drejtat e Fëmijëve (KDF) përbën një nga instrumentet ndërkombëtare më universale, Kosova megjithëse nuk është nënshkruese e saj, e ka përfshirë atë si pjesë të legjislacionit të saj të brendshëm. Megjithëse jetojmë në një kohë ku njerëzit janë bërë gjithmonë e më të vetëdijshëm për të drejtat e njeriut dhe të drejtat e fëmijëve, duket sikur për personat që i kanë shkaktuar “dëm” shoqërisë, qofshin këta edhe të mitur, të drejtat e tyre duken si një koncept artificial jo vetëm për publikun e gjerë por edhe për zyrtarë institucional, të cilët kanë për detyrë t’i sigurojnë e mbrojnë ata.

Sigurisht, kufizimi i lirisë, qoftë ky në burg apo në institucion edukimi, duket të jetë përgjigja e duhur nga këndvështrimi i publikut që kërkon të mbrojë sigurinë e tij. Megjithatë, çështja duhet parë dhe ekzaminuar nga perspektiva e të drejtave të fëmijëve pasi po të rrëmosh në jetët e të miturve të dënuar, në të shumtën e tyre, do të gjesh arsye të cilat i kanë shtyrë ata në delinkuencë, pasi familja, institucionet, dhe komuniteti kanë dështuar për t’i ndihmuar ata.

Në këtë aspekt situata paraqitet si një monedhë me dy anë, prandaj është e rëndësishme t’i konsiderojmë të miturit pavarësisht akteve që kanë kryer si qenie njerëzore që duhet të respektohen. Ndërhyrja jonë si shoqëri duhet të fokusohet në potencialin dhe aftësitë e tyre për t’u bërë pjesëtar të dobishëm dhe të vlefshëm të shoqërisë, gjë e cila mund të arrihet duke synuar që kufizimi i lirisë të jetë dhe të përdoret si një mjet i fundit dhe koha e kufizimit të lirisë t’i shërbejë maksimalisht edukimit, mirëqenies maksimale dhe ri-integrimit të tyre të planifikuar dhe të përgatitur në shoqëri.

Duke u bazuar në të drejtat e të miturve dhe parimit të ‘Interesit më të Mirë’, si dhe për më tepër duke marrë si urgjencë situatën e krijuar nga COVID-19, ky interes dhe këto të drejta, duhen zbatuar më tepër se asnjëherë më parë, jo për ti trajtuar ata si kategori të nevojës, por për ti ndihmuar ata dhe institucionet për të mbrojtur interesin kryesor që është shëndeti dhe jeta e tyre.

Në këtë aspekt kemi marrë si shkas edhe shumë iniciativa dhe thirrje globale për mbrojtjen e fëmijëve dhe të miturve në kohë pandemie, veçanërisht ato që i bëjnë thirrje autoriteteve që për të miturit që janë në paraburgim apo duke vuajtur ndonjërën prej masave apo dënimeve të parapara sipas legjislacionit vendor, ti kenë parasysh këto veprime dhe ndërmarrjen e hapave për t’ju përgjigjur situatës së COVID-19 të cilat përfshijnë:

1. Vendosjen e një moratoriumi për mos dërgimin e të miturve në qendra paraburgimi;
2. Lirimin e të gjithë të miturve që aktualisht janë në paraburgim apo me masa dhe dënime të cilët munden në mënyrë të sigurt të lirohen;
3. Ofrimi i alternativave ndaj masave institucionale dhe vendosja e të miturve nën perkujdesin momental nga familja apo kujdestari; dhe,
4. Mbrojtjen e shëndetit, mirëqenies dhe rehabilitimit të çdo të mituri i cili duhet të qëndrojë në vuajtje të dënimit.

Megjithëse javët e fundit janë ndërmarrë një seri debatesh dhe veprimesh për të konsideruar lirimin e tyre, fatkeqësisht kjo nuk është realizuar për shkak të disa arsyetimeve të cilat janë bërë publike edhe nëpërmjet mediave dhe formave të tjera të komunikimit.

Të udhëhequr nga mandati ynë thelbësor për mbrojte të të Drejtave të Fëmijëve, Institucioni i Avokatit të Popullit, Zyra e UNICEF’it në Kosovë, Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtje të fëmijëve (me 32 organizata anëtare) konsiderojnë se është e rëndësisë jetike të mbrohet shëndeti dhe jeta e këtyre të miturve, prandaj edhe një herë i bëjmë thirrje autoriteteve Gjyqësore dhe të Ministrisë së Drejtësisë që të i ri-konsiderojnë mundësitë ligjore si në vijim, qoftë duke konsideruar lirimin e parakohshëm, zëvendësimin e masës edukuese me atë alternative, lirimin me kusht apo edhe faljen e dënimit.

Këto mundësi ligjore parashihen në korrnizat ligjore si në vijim:

I. Kodi i Drejtësisë për të Mitur

Kodi i Drejtësisë për të Mitur Nr.06/L-006 i viti 2018, në Nenin 92 dhe 93 në mënyrë eksplicite dhe taksative parasheh mundësinë e shqyrtimit, zëvendësimit dhe pushimit të masave edukative institucionale.

Siç përcaktohet në paragrafin 1 të Nenit 92 të këtij Kodi “ Çdo gjashtë (6) muaj, drejtori i institucionit apo qendrës ku ekzekutohet masa edukative, i dorëzon raport gjykatës dhe shërbimit sprovues për sjelljen e të miturit dhe suksesin në ekzekutimin e masës. Varësisht nga suksesi i ekzekutimit të masës, drejtori paraqet propozim për ndryshimin apo pushimin e ekzekutimit të masës edukative në pajtim me planin individual.

Përveç autorizimeve që janë të natyrës obligative për drejtorin e institucionit, KDM ne nenin pasues, Nenin 93 në paragrafin 2, parasheh edhe një mundësi shtese që: ‘I mituri, prindi i tij, prindi adoptues apo kujdestari, qendra, institucioni apo vendi ku ekzekutohet masa edukative ose shërbimi sprovues mund të kërkojnë rishqyrtimin e ekzekutimit të masës edukative.

Përveç zëvendësimit, Kodi ka paraparë edhe Lirimin me Kusht për të miturit e Dënuar. Neni 36 parasheh që pas arritjes së vuajtjes së 1/3 së dënimit nga ana e të miturve, ata munden të lirohen me kusht.

Poashtu, duke u nisur nga shumë parime dhe garanci që parasheh KDM dhe Kodi i Procedurës Penale, kërkohet që në çdo rast Gjykata të shmanget nga caktimi i paraburgimit si masë për sigurimin e prezencës së të miturve gjatë procesit gjyqësor. Andaj në këtë aspekt, është e rekomandueshme që në këtë kohë specifike të konsiderohen masat e tjera alternative dhe ato më të lehta për sigurimin e prezencës së të miturve si të pandehur në procedurën gjyqësore.

Për të gjitha format e mundshme të zëvendësimit të masave edukative apo dënimit, si dhe të lirimit me kusht, ekziston një garanci shtesë institucionale që këta fëmijë nuk do të lihen në harresë dhe pa përkujdesje, kjo për faktin që në të gjitha alternativat e mundshme Shërbimi Sprovues është garanci e vazhdimit të përkujdesjes ndaj tyre.

II. Ligji për Ekzekutimin e Sanksionave Penale

Neni 6 i Kodit të Drejtësisë për të Mitur ka paraparë që dispozitat e Ligjit për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale zbatohen përshtatshmërisht edhe për të miturit kur kjo nuk është e rregulluar me KDM.

Ligji për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale në disa nene, ka parapare dispozita me të cilat parashihen lehtësime, konkretisht: Lirimi i parakohshëm (Neni 127) tani i ndryshuar me Nenin 19 të Ligjit Nr.05/L-129 .

Në këtë aspekt Lirimi i Parakohshëm sipas këtij neni në paragrafin e parë parashihet që: ‘Me kërkesë të personit të dënuar, Gjykata kompetente mund ta lirojë personin e dënuar para përfundimit të mbajtjes së dënimit të tij me burgim, nëse ai ka pasur sjellje të mirë, suksese në punë dhe në aktivitete të tjera.’

III. Ligji për Faljen

Siç parashihet nga qëllimi, ky ligj i përcakton autorizimet ligjore të Presidentit të Republikës së Kosovës për shpallje të faljes individuale.

Për më tepër në Nenin 3 paragrafi 1 ‘Falja është e drejtë e Presidentit që ka për qëllim përdorimin e një mjeti jo të rregullt e të rrallë për t’i shpërblyer sjelljet dhe karakteret e jashtëzakonshme ose t’i adresojë shqetësimet e jashtëzakonshme humanitare’.

Thirrje për veprim “T’u japim një shans të miturve”

Duke marrë për bazë këto mundësi që janë në kuadër të ligjeve në fuqi, dhe duke qenë të vetëdijshëm që iniciativat për të bërë ndryshime ligjore janë të vështira dhe të tejzgjatura në këtë kohë, si dhe faktin se çdo vonesë në këtë aspekt mund të ndikojë në shëndetin dhe sigurinë e përgjithshme të të miturve që janë në vuajtje të paraburgimit apo ndonjërës prej masave edukative institucionale apo burgimit, ne kërkojmë që në afat sa më të shpejtë të mundshëm, aty ku janë plotësuar kushtet ligjore sikur të cekura më lart, të ndërmerren vendimet, qoftë për zëvendësim apo shqyrtim të masave edukative institucionale, zëvendësim të paraburgimit, lirim të parakohshëm, lirim me kusht, apo edhe falje e dënimeve.

Në të gjitha këto rrethana, ndërmarrja e këtyre veprimeve në mënyrë të menjëhershme është në harmoni dhe në përputhje me kërkesat që rrjedhin prej Konventës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Fëmijës për respektimin e parimit të Interesit më të lartë të fëmijës dhe parimit të sigurisë së jetës, mbijetesës dhe zhvillimit.  /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Kronika e Zezë
Droni i policisë iu heq nga duart shqiptarëve 2.8 milionë paund, burg pas zbulimit të “fabrikës” së drogës në Angli

Droni i policisë iu heq nga duart shqiptarëve 2.8 milionë paund, burg pas zbulimit të “fabrikës” së drogës në Angli

Lajme
Zbardhen detaje nga vrasja e 43-vjeçarit në Tropojë, viktima dhe autori ishin shokë

Zbardhen detaje nga vrasja e 43-vjeçarit në Tropojë, viktima dhe autori ishin shokë

Lajme
Ish-deputetët e LVV-së kritikojnë kryeministrin Kurti për mungesën e fokusit në bashkimin kombëtar

Ish-deputetët e LVV-së kritikojnë kryeministrin Kurti për mungesën e fokusit në bashkimin kombëtar

Lajme
Guri për padinë e Pecit: Absolutisht e pa logjikshme, në asnjë vend nuk mundesh me padit paditësin

Guri për padinë e Pecit: Absolutisht e pa logjikshme, në asnjë vend nuk mundesh me padit paditësin

Lajme
Philip Reeker: Dialogu Kosovë-Serbi nuk do të jetë prioritet për administratën e Trumpit

Philip Reeker: Dialogu Kosovë-Serbi nuk do të jetë prioritet për administratën e Trumpit

Lajme
Kalo në kategori