Pesha e drogës në total është 585 kg dhe në treg do të kapte vlerën e 440 milionë dollarëve amerikanë, raporton TCH.

Tre persona, një nga Singapori, një australian dhe një tjetër nga Hong Kongu janë arrestuar dhe pritet të paraqiten më vonë gjatë ditës në gjykatën e Sidneyt.


Policia ka njoftuar se ka gjasa që lidhur me sasinë e drogës të ketë arrestime të tjera brenda Australisë dhe jashtë saj. Të dyshuarit rrezikojnë dënime të rënda nëse shpallen fajtorë.

Në një konferencë për shtyp, shefi i policisë australiane tha se droga, e njohur ndryshe si “akulli”, u sekuestrua pas katër muajsh hetime, të ndihmuara nga një informacion telefonik.

Sipas tij, amfetamina vinte nga krahina Shenzhen e Kinës dhe ishte fshehur në një ngarkesë me kimikate për detergjentet e pastrimit.

“Kjo është një drogë e neveritshme, është nga ato lloje që i çakordon njerëzit. Telefonata që erdhi na mundësoi të zbulonim dhe godisnim një sindikatë krimi që do të ndalet përgjithmonë”, deklaroi komisari i policisë së New South Wellsit, Andrew Scipione.

Hetimi mbi këtë sasi rekord droge përfshiu Policinë Federale Australiane, Doganat, Policinë e New South Wellsit dhe Komisariatin Australian të Krimeve. /Telegrafi/