Asociacioni i Konsujve të Huaj në New York nderon doktoreshën Zana Dobroshi (Foto)
Për nder të Ditës Ndërkombëtare të Gruas, Asociacioni i Konsujve të Huaj në New York (SOFC), organizoi me korpusin diplomatik të konsujve nga mbarë bota, një ceremoni gjatë së cilës dhjetë gra nga vende të ndryshme të botës u nderuan me çmime simbolike, për suksesin e tyre të shquar në fushat e tyre, ku Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në New York, për këtë vit kishte të nominuar aktivisten e dalluar doktoreshën Zana Dobroshi.
Doktoresha Zana Dobroshi është udhëheqëse e repartit të psikiatrisë në Spitalin “Columbia” të New York. Ajo, po ashtu punon edhe në një ordinancë private të saj, ku shqiptarëve u ndihmon në ofrimin e shërbimeve të tilla mjekësore specialistike.
Në këtë ngjarje të rëndësishme Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës, ishte në përbërje nga diplomatët Albana Bylykbashi, Lulzim Krasniqi dhe Butrint Ymeri.
Ngjarja e këtij viti e korpusit të Konsujve në New York, u hap nga Konsullja e Përgjithshme e Gjeorgjisë, Diana Zhgenti, respektivisht presidente e këtij asociacioni, në ambientet e Konsullatës së Përgjithshme të Filipineve, ku u mbajt ceremonia e ndarjes së mirënjohjeve për gratë e suksesshme në New York.
Konsullja Zhgenti, ka zgjedhur disa gra për këtë vit, për t’i nderuar ato për kontributin e tyre në diplomaci në New York dhe Amerikë.
Duke uruar gratë fituese për suksesin e tyre, ajo tha se gratë e realizuara janë modele të mrekullueshme, me arritjet e tyre të suksesshme dhe që kanë shkëlqyer në mënyrë profesionale dhe që kanë kontribuuar dhe vazhdojnë të kontribuojnë në mënyrë të konsiderueshme.
“Me Çmimit Vjetor të Grave, nderohen gratë për arritjet e tyre të jashtëzakonshme profesionale dhe kontributin në fuqizimin e komunitetit në New York dhe gjithë Amerikën, një çmim ky i iniciuar në 2011 nga Konsullja e Përgjithshme e Republikës së Kazakistanit, Raushana Yesbulatova”, tha Zhgenti.
Vendet pjesëmarrëse, 42 sosh, sa i ishin përgjigjur kësaj ftese, ndër to edhe Republika e Kosovës, kishin përzgjedhur figura të shquara të vendeve të tyre që jetojnë e veprojnë në New York, dhe që kanë kontribuuar në të mirë të komunitetit të tyre dhe rrethit ku jetojnë.
Krahas mirënjohjes dhe luleve të dhuruara nga Asociacioni i Konsujve të Huaj për secilën grua të nominuar, Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës i kishte përgatitur doktoreshës Dobroshi edhe një dhuratë modeste, në shenjë respekti për kontributin e saj.
Doktoresha Dobroshi po vazhdon të bëjë të njëjtën gjë në mes të New Yorkut, çfarë bëri në Kosovën, kur ajo shërbeu atje në fushën e mjekësisë.
Ajo në këtë ceremoni tha se “njerëzit e varfër meritojnë mjekë të mirë", duke mos harruar të përmend faktin se ajo për çdo javë i kushton shumë orë familjeve të varfra të imigrantëve, në fushën që ajo vepron.
Zana Dobroshi, MD, PhD është një mjeke e përgjithshme dhe specializuar për fëmijë dhe adoleshentë. Ajo është një Assoc. Prof. Psikiatri në Universitetin Kolumbia të NY, Adjunct Assoc. Profesor i Psikiatrisë në Case Western Reserve Univversity Cleveland, ish Prof. i Psikiatrisë në Universitetin e Prishtinës, ku punoi për më shumë se 10 vjet para se të vinte në SHBA si profesore.
Menjëherë pas përfundimit të studimeve ne SHBA, ajo zbuloi se ajo nuk mund të kthehej më në Kosovë. Në atë kohë, kur të gjithë profesorët shqiptarë u pushuan nga puna dhe shkollat u mbyllën, por që u hapën menjëherë pas fillimit të luftës.
Dobroshi, e lindur dhe rritur në Prishtinë, që në moshë të hershme filloi të punonte dhe ndihmonte njerëzit e tjerë.
Në moshën 17-vjeçare ajo u bë studentja e Shkollës Mjekësore në Beograd, ku së pari u ndesh me vuajtjet e bashkatdhetarëve të saj dhe e kuptoi rëndësinë e të folurit mjekësor dhe të kuptonte gjuhën dhe kulturën shqiptare. Ajo u bë e vendosur për të ndihmuar zhvillimin e Shkollës Mjekësore në Prishtinë dhe organizoi avokimin e studentëve të tjerë mjekësorë shqiptarë për hapjen e Shkollës Mjekësore atje. Për më tepër, këta studentë do të organizonin ndihmë për nënat në zonat rurale me rritjen e fëmijëve dhe kujdesin shëndetësor.
Ajo u mahnit me mundësitë e psikiatrisë që ndryshonte jetën e njerëzve. Në moshën 25-vjeçare, u bë një nga specialistët më të rinj të Neuropsikiatrisë në vend. Dhe më vonë u bë doktoreshë e parë e Shkencave në Psikiatri në Kosovë, duke përfunduar studimet e doktoraturës në Zagreb, Kroaci.
Po ashtu, Dobroshi zhvilloi Qendrën për Psikiatrinë e Fëmijëve në Prishtinë dhe botoi shumë artikuj. Duke mos qenë në gjendje të kthehej në Prishtinë, Dobroshi duhej të bënte gjithçka përsëri, duke filluar nga zeroja dhe në nivelet më të larta të profesionit të saj. Ajo u bë përsëri profesore në universitete të njohura, drejtore trajnimi, drejtore klinike, publikojë artikuj dhe kapituj librash, Shumë herë u zgjodh mësuese e vitit nga studentët e saj mjekësorë nga Kosova. Ajo u bë Kryetare Shoqatës Mjekësore Shqiptaro-Amerikane, anëtare e Bordit të Shoqërisë Amerikane të Grave, Shoqatës Amerikane të Psikiatrisë, e Shoqatës Amerikane Psiko-analitike dhe në asociacione e shoqata të tjera. /Telegrafi/


