Reperi i ri në skenën shqiptare, Arti, ka publikuar së fundmi këngën e tij më të re me titull “BMW”, një projekt që ai e konsideron krejtësisht të vetin – nga ideja, tek muzika e deri tek videoklipi.

Në një intervistë të shkurtër për Telegrafi, Arti tregoi se kënga i përket stilit drill, një rrymë mjaft e ndjekur nga të rinjtë dhe që po gjen terren gjithnjë e më shumë edhe në tregun shqiptar.


“Tema e këngës është "drill", shpresoj që edhe me klip edhe me këngë të dal më mirë herën tjetër” – tha ai me sinqeritet.

I vendosur për të ndërtuar një identitet autentik si artist, Arti thekson se çdo detaj i projektit ka ardhur nga ai vetë: “Edhe regjinë, edhe klipin, edhe këngën i kam bërë vet. Ideja ime. Edhe po shpresoj për ditë më të mira”.

Kënga “BMW” është publikuar me videoklip në platformat digjitale dhe ka filluar të tërheqë vëmendjen e publikut, sidomos për energjinë e tij spontane dhe lirikat tipike të stilit urban.

Në fund të bisedës, Arti pati edhe një falënderim për platformën që i dha hapësirë: “E falënderoj Telegrafin që po më mbështet”.

Me përkushtimin e tij dhe dëshirën për të krijuar vetë çdo aspekt të muzikës, Arti premton të jetë një emër për t’u ndjekur në skenën e repit shqiptar në të ardhmen e afërt. /Telegrafi/