LAJMI I FUNDIT:

Arsimimi në epokën e automatizimit

Arsimimi në epokën e automatizimit

Lee Jong-Wha

Teksa teknologjitë digjitale dhe automatizimi kanë përparuar, frika rreth të ardhmes së punës është rritur. Por, rezultati përfundimtar nuk ka pse të jetë negativ. Çelësi është arsimimi.


Tashmë, robotët po marrin një numër në rritje të detyrave rutinë dhe përsëritëse, duke i lënë punëtorët në disa sektorë nën një presion të madh. Në Korenë e Jugut, që ka densitetin më të madh në botë të robotëve industrial – 631 për 10,000 punëtorë – punësimi në prodhim po bie dhe papunësia e të rinjve është e lartë. Në SHBA, përdorimi i shtuar i robotëve ka dëmtuar punësimin dhe pagat, sipas një studimi të vitit 2017.

Por ndërsa progresi teknologjik padyshim shkatërron vende pune, ai gjithashtu i krijon ato. Ndërhyrja e automjeteve shkatërroi gjerësisht punët në ndërtimin e karrocave me kuaj, por gjeneroi miliona vende të tjera pune jo vetëm në fabrikat automobile, por edhe në sektorë të lidhur me ndërtimin e rrugëve. Studimet e fundit tregojnë se pasojat e automatizimit në punësim, të dala nga kërkesë-oferta kanë qenë pozitive.

Sfida sot ndodhet në faktin se prodhimi dhe përdorimi i teknologjive gjithnjë e më të përparuara kërkon shpesh aftësi të nivelit të lartë, që nuk mund të mësohen nga praktika. Duke marrë parasysh këtë, vendet duhet të sigurojnë që banorët të kenë akses në arsimim të cilësisë së lartë dhe në programe trajnimi që i përputhen nevojave të tregut. Rezultati i garës mes teknologjisë dhe arsimimit do të përcaktojë nëse mundësitë e prezantuara nga inovacionet madhore do të kapen dhe nëse përfitimet e progresit do të jenë të gjera.

Në shumë vende, teknologjia ka nisur të drejtojë. Rritja së fundmi e pabarazisë në Kinë dhe në ekonomitë e tjera të Azisë Lindore, për shembull, reflekton thellimin e hendekut mes atyre që mund të adoptojnë teknologjitë e përparuara dhe atyre që nuk munden. Por arsimimi shpesh nuk përputhet me nevojat e ekonomisë botërore, pjesërisht sepse arsimi formal nuk prodhon të diplomuar me aftësi teknike të përshtatshme për tregun e punës.

Në një raport nga Njësia e Inteligjencës së Ekonomist (EIU), 66 për qind e ekzekutivëve të marrë në pyetje ishin të pakënaqur me nivelin e aftësive të punonjësve të rinj dhe 52 për qind thanë se një hendek i aftësive ishte pengesë në performancën e firmës së tyre. Ndërkohë, sipas një studimi të OSBE, 21 për qind e punëtorëve thonë se ndihen se kanë më shumë arsim seç duhet për punën e tyre.

Kjo sugjeron se arsimimi formal po i mëson punëtorëve gjërat e gabuara dhe se reformimi i thellë është thelbësor për të lehtësuar zhvillimin e dijes digjitale dhe aftësive teknike, si dhe aftësitë konjitive jo-rutinë dhe ato jo-konjitive. Kjo përfshinë “katër C-të e mësimit të shekullit 21” (mendim kritik, kreativitet, bashkëpunim dhe komunikim) – zona ku njerëzit kanë një avantazh të madh ndaj makinerive të inteligjencës artificiale.

Procesi duhet të fillojë në arsimin parashkollor, sepse vetëm me një themel të fortë mundet që njerëzit të përfitojnë plotësisht nga arsimimi dhe trajnimi më vonë. Dhe në ekonominë e të ardhmes, ky trajnim nuk do të përfundojë kurrë. Duke marrë parasysh progresin e shpejtë teknologjik, përmirësimi i mundësive për mësim efektiv afatgjatë do të bëjë që punëtorët t’i përditësojnë aftësitë e tyre vazhdimisht ose të mësojnë të reja. Në të gjitha nivelet e arsimit, kurrikula duhet të bëhet më freksibël dhe e përshtatshme ndaj teknologjive në ndryshim dhe kërkesave të tregut.

Një barrierë e mundshme ndaj kësaj qasje është mungesa e mësuesve të mirë-trajnuar. Në vendet e Afrikës Nën-Sahariane, për shembull, ka më shumë se 44 nxënës për çdo mësues fillor të kualifikuar, në mesatare; për shkollat 9-vjeçare norma është edhe më e ulët, 58 nxënës për një mësues. Ndërtimi i një force mësuesish të aftë do të kërkojë nxitje monetare dhe jomonetare për mësuesit dhe investim të lartë për zhvillimin e tyre profesional.

Kjo përfshin sigurimin se mësuesit kanë mjetet e nevojshme për të përfituar nga teknologjia e informacionit dhe komunikimit (TIK), që nuk po përdoret gjerësisht, pavarësisht potencialit për të siguruar akses të gjerë në mësime afatgjata në kanale formale dhe joformale. Sipas raportit të EIU, vetëm 28 për qind e nxënësve në 9-vjeçare thanë se shkollat e tyre mbanin mësime aktive të TIK.

TIK mund të ndihmojë gjithashtu në adresimin e mangësive të mësuesve të kualifikuar dhe burimeve të tjera arsimore duke ofruar akses në distanca afatgjata, përmes platformave të tjera online. Për shembull, OpenCourseWare e Institutit të Teknologjisë së Masaçusetsit i jep mundësi studentëve nga e gjithë bota të ndjekin disa nga mësuesit më të mirë në botë.

Kjo tregon sa e rëndësishme është vlera e përbashkët e bashkëpunimit ndërkombëtar. Sfidat e arsimimit të ngritura nga teknologjitë në përparim prekin këdo, ndaj vendet duhet të punojnë së bashku për t’i adresuar ato, përfshirë përmes shkëmbimeve të studentëve dhe mësuesve dhe ndërtimit të infrastrukturës së mirë për teknologji.

Të gjitha përpjekjet për të nxitur arsimin duhet të kenë në fokus aksesin, që ata që po ia nisin me përvojë të dobët arsimore apo me aftësi më të ulëta të mund të konkurrojnë në tregun e punës. Politikat sociale të mbrojtjes të projektuara mirë – përfshirë për shembull, sigurimin e papunësisë dhe sigurimin e shëndetit publik – janë po ashtu të nevojshme për të mbrojtur punëtorët e pambrojtur nga ndryshimi i shpejtë.

Revolucioni i inteligjencës artificiale do të jetë shumë përçarës, por nuk i bën njerëzit të panevojshëm. Me sisteme të mira arsimore, ne mund të sigurohemi që progresi teknologjik t’i bëjë jetët tona më të gëzuara, më shpresëdhënëse dhe më të begata. /Project Syndicate/BIRN/